Studimet e larta janë një mënyrë e mirë për të gjeneruar të ardhura nga jashtë dhe shumë shtete ofrojnë mundësi për të tërhequr studentë nga vendet e tjera.
Sipas të dhënave të Eurostat, që i takojnë vitit 2022, rezulton se Shqipëria kishte numrin më të ulët të studentëve të huaj në Europë, me vetëm 1,872 të tillë. Vendi ynë renditet shumë më dobët se vendet e tjera të Rajonit. Në Maqedoninë e Veriut u numëruan mbi 4,700 studentë të huaj, ndërsa në Serbi mbi 11,200 të tillë.
Ndër vendet europiane, Franca, Gjermania dhe Turqia kryesojnë për numrin e lartë të studentëve të huaj. Në vitin 2022, mbi 263 mijë studentë kishin zgjedhur universitetet franceze për studime, të ndjekur nga Gjermania me 252 mijë studentë të huaj dhe Turqia me 244 mijë të tillë. Polonia, Spanja dhe Italia ishin ndër vendet e tjera me numrin më të lartë të studentëve të huaj, me nga rreth 90 mijë secila. Nga vendet e Gadishullit Ballkanik, bie në sy Rumania me rreth 38 mijë studentë të huaj.
Të rinjtë, kur vendosin të studiojnë në një vend të huaj, nisen nga cilësia arsimore dhe nga kostot (të tilla si tarifat e studimeve dhe kostot e jetesës, si qiratë dhe ushqimi). Vende si Gjermania dhe Franca ofrojnë arsim të lartë cilësor dhe tarifa të ulëta, ndërsa vendet e lindjes zakonisht zgjidhen për kostot e ulëta të jetesës.
Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Europës, ofron kosto të ulëta jetese, por nuk ka ofertë arsimore të cilësisë së lartë. Universitetet shqiptare renditen të fundit në listat e akreditimit dhe vendi duket se nuk po bën hapa përpara për të rritur cilësinë, edhe për vendasit. Ekspertët e arsimit sugjerojnë se Shqipëria duhet të mendojë fillimisht për të përmirësuar ofertën e arsimit të lartë, për të frenuar ikjen e të rinjve shqiptarë që zgjedhin të studiojnë jashtë vendit.
Të dhënat e OECD-së tregojnë se një stok prej rreth 18 mijë studentësh shqiptarë ndjekin studimet në universitete jashtë vendit.
Megjithatë, universitetet private, në kushtet kur numri i të rinjve po bie me shpejtësi, po përpiqen të ndërtojnë oferta dhe programe mësimore për të huajt. Për shembull, në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” ka shumë studentë italianë që ndjekin studimet në Shqipëri, për shkak të kostove më të lira, kundrejt një programi me cilësi të njëjtë me universitetet italiane./Monitor