SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili po hetohet për akuza të rënda, përfshirë shitjen e sekreteve shtetërore tek grupet kriminale, dekonspirimin e operacioneve të Policisë në Durrës dhe bashkëpunimin me këto grupe për sigurimin e votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Çyrbja, i cili u arrestua më 20 tetor 2024, është thirrur sot për të dhënë deklarata përpara prokurorit Adnan Xholi. Prokuroria e Posaçme ka ngritur tre akuza ndaj tij: “Zbulim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, e përsëritur disa herë, “Mbështetje e autorit të krimit”, gjithashtu e përsëritur, si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Sipas hetimeve, Çyrbja ka informuar Altin Hajrin dhe persona të tjerë të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për operacione të planifikuara nga policia në Durrës. Në këmbim të këtij informacioni, ai ka kërkuar mbështetje për të siguruar vota në qarkun e Durrësit gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.