Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri me shumë gjasa mund të zhvillohen më 11 maj 2025. Të paktën këtë datë i ka propozuar kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi Presidentit të Republikës. Të njëjtin propozim kanë bërë edhe përfaqësuesit e Partisë Socialistë, që kanë zhvilluar një takim me kreun e shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale pas takimit me Presidentin Bajram Begaj, Celibashi shkruan se “Në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës, z. Bajram Begaj, propozova 11 Majin 2025 si datën optimale për mbajtjen e zgjedhjeve kuvendore. Kjo datë e propozuar siguron: Më shumë kohë për përgatitjen e administrimit zgjedhor dhe organizim më efektiv të votës së shqiptarëve nga jashtë.
Sipas Celibashit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të realizuar një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës, që garanton pjesëmarrjen e të gjithë votuesve të ligjshëm.
Më herët gjatë javës së kaluar, përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare i propozuan Kreut të Shtetit datën 4 maj, që sipas tyre është më e përshtatshme për të zhvilluar zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
Tashmë pritet dekreti i Presidentit të Republikës për të shpallur datën zyrtare të zgjedhjeve./ Scan