Pushimet e 28-29 Nëntorit, të cilat ofrojnë një fundjavë të zgjatur prej katër ditësh, janë shndërruar në një mundësi ideale për shqiptarët që të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit.
Kërkesat për udhëtime kanë qenë të fokusuara kryesisht në disa destinacione europiane dhe rajonale, me destinacionet që variojnë nga qytete historike deri te ato me atraksione moderne.
Po ku janë përqendruar kërkesat e shqiptarëve këtë vit? Ja disa nga destinacionet që kanë zgjedhur shqiptarët sipas agjencive turistike:
Budapesti: Një nga destinacionet më të përballueshme dhe të popullarizuara për shkak të lidhjeve të favorshme me linja ajrore si Wizz Air. Fluturimet vajtje-ardhje mund të kapen për çmime relativisht të ulëta, sidomos nëse rezervohen paraprakisht.
Praga dhe Vjena: Këto qytete historike europiane janë ndër të preferuarat. Gjatë këtij sezoni, kanë edhe tregjet më të bukura të Krishtlindjeve, që u shtohet si atraksion. Megjithatë, çmimet për këto destinacione janë rritur ndjeshëm për datat festive për shkak të kërkesës së lartë.
Stambolli: Për shqiptarët që kërkojnë një përvojë ndryshe dhe të përballueshme, Stambolli ka mbetur një opsion popullor, duke ofruar atraksione kulturore dhe komerciale.
Barcelona dhe Amsterdami: Këto qytete kanë tërhequr udhëtarët që preferojnë të eksplorojnë destinacione me aktivitete dhe atraksione të shumta.
Udhetimet zakonisht nisin më 27 nëntor pasdite ose 28 në mëngjes dhe përfundojnë më 1 dhjetor, duke lejuar udhëtarët të rikthehen në punë me energji të reja. Megjithatë, sipas agjencive, vitet e fundit aksesi i qytetarëve në teknologji e ka bërë më pak të matshme udhëtimet e tyre sepse u drejtohen agjencive më pak, duke u organizuar vetë.
Hyrja e operatorëve low-cost ka qenë një katalizator kryesor për këtë rritje të interesit për udhëtime. Fluturimet e lira kanë bërë që qytete të mëparshme të shtrenjta, si Barcelona apo Amsterdami, të bëhen më të aksesueshme.
Grupet turistike dhe paketat me udhëtime të organizuara kanë parë gjithashtu një interes të shtuar, veçanërisht për qytete si Stambolli apo udhëtimi me trenin Bernina Express, nga Milano në Zvicër, ku agjencitë ofrojnë guida të strukturuara për të eksploruar qytetet.
Rajoni dhe brenda vendit nuk kanë qenë shumë të preferuar këtë vit, pasi mundësitë e udhëtimit me çmime konkurruese drejt Europës kanë tërhequr më shumë vëmendje. Kjo prirje tregon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së udhëtimeve për shqiptarët, por edhe dëshirën e tyre për të eksploruar destinacione të reja jashtë kufijve.
Megjithatë, në kërkesat për akomodim këtë vit, Korça mban vendin e parë. Sipas komunikimeve me agjencitë, nuk ka më vende të lira për hotelet brenda në qytet për këto data./ Monitor