Prej më shumë se dy muajsh kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet edhe në Federatën Shqiptare të Atletikës.
Ndryshe nga sa mendohej, ose më saktë në mënyrë të papritur doli kandidatura e Izmir Smaljajt për postin e presidentit të FSHA-së, duke vendosur të hiqte dorë nga sporti, edhe për shkak të dëmtimeve, por edhe sepse rezultatet e tij nuk ishin më ato të dikurshmet.
Ai vendosi në këtë mënyrë të dilte përballë ish-trajnerit të tij dhe ish-mikut Taulant Stërmasi, njëkohësisht president i federatës në fuqi, deri në ditën e asamblesë zgjedhore. Ndërkohë që në publik dhe në dukje ishin ende miq, nën rrogoz “lufta” për pushtet dukej se ishte shumë e ashpër dhe ashtu siç doli në momentin e fundit jo shumë e ndershme dhe e pastër.
Për të bërë gjithçka publike dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit mendoi kolegia e Izmirit dhe sportistja e Taulantit, kampionia e Europës, Luzia Gega e cila vendosi të tregojë se po bëhej një padrejtësi dhe një manipulim në këtë proces zgjedhor, duke e përjashtuar atë nga gara, pasi ishte futur në garë për anëtarë të komitetit ekzekutiv dhe trajnerin e saj Taulant Stërmasi, gjithashtu e përjashtuan nga gara për president.
Argumenti se përse ishin përjashtuar ishte disi konfuz. Për herë të fundit që gjykata dhe rrjedhimisht shteti, dinte dhe njihte një asamble zgjedhore të Federatës Shqiptare të Atletikës, ishte në vitin 2010-të, që nga ato zgjedhje dhe nga ai vit, asnjëherë zgjedhjet e federatës së atletikës nuk ishin regjistruar në gjykatë.
Se si kanë marrë grante, pra paratë, nga shteti dhe ministria, pa i njohur gjykata, kjo është një tjetër temë. Por për të mbetur tek zgjedhjet, Izmir Smajlaj, që sipas Gegës dhe Stërmasit ka mbështetjen e ish-presidentit Ruli dhe drejtuesit e KOKSH, kishin filluar të shfrytëzonin këtë hapësirë për t’u kthyer në kohë, pra për të mbajtur komisionin e fundit që njihte shteti, atë të 2010-tës, ndërkohë që të përdornin dhe ligjin e viti 2022, sipas të cilit i kërkohet klubeve që të ndryshojnë statusin ligjor, në shoqata.
Duke qenë se deri më tani asnjë klub nuk ishte shndërruar në shoqatë, po sipas Luizës dhe Taulantit, artificialisht brenda 30 ditëve të fundit, organizatorët e këtyre zgjedhjeve kishin krijuar 7 shoqata sportive të atletikës, pa asnjë lidhje me atletikën dhe pa asnjë sportist.
Do të ishin pikërisht ato shoqata që do të futeshin në zgjedhje, dhe jo klubet që kanë qenë antare deri më tani.
Me këtë lëvizje si Luiza Gega ashtu edhe Taulant Stërmasi, u dogjën automatikisht nga kjo garë, pasi asnjë nga këto shoqata nuk i kishte propozuar. Por lëvizja me sa duket ishte shumë e diskutueshme dhe dalja në publik e këtyre fakteve, solli me sa duket edhe lëvizjen e shtetit.
Kështu ministria e sportit, Ogerta Manastirliu, ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me palët, duke i ulur në tavolinë, Izmir Smajlaj, Luiza Gegën, Gjergj Rulin dhe Taulant Stërmasin.
Kjo mbledhje, ka qenë një tërheqje veshi për të 4 këta personazhe, duke i kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve që ishin parashikuar më 4 dhjetor dhe rikthimin e garës në kushte normale duke gjetur një vijë të mesme, brenda ligjit dhe pa shumë zhurmë. Ende nuk ka një njoftim zyrtarë, por diçka në të gjithë këtë zhurmë do të ndryshojë./ SuperSport