Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Izmir Zeqiri, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, ka thënë për se nga ky shpërthim është e rrezikuar një shtëpi dhe që banorët e saj janë evakuuar.
Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë shtypi pas shpërthimit që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Vragë të Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenci.
Kurti ka deklaruar se dyshojnë se sulmet e fundit kanë ardhur nga Serbia.
“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale terroriste, dashakeqe që po vijojnë të na vijnë e që ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, tha Kurti të premten në një konferencë urgjente për media.
Ai tha se ky sulm ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën kritike të Kosovës.
“Sonte ishte sulmi më i rëndë, ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike. Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, shtoi Kurti.
Kurti ka ftuar qytetarët që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”.
“Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, tha Kurti.
Kurti thotë se nuk ka adresë tjetër për përgjegjësi përveç Beogradit zyrtar.
“Për bindjen tonë të fuqishme, nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë e fajësinë, për organizmin dhe orkestrimin e këtij sulmi, përveçse Beogradi zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Milan Radoiçiq, mbështeten nga institucionet serbe dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç”, shtoi Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Presidentja ishte menduar të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei.
Italia ka dënuar shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit.
Në një postim në platformën X, ambasada italiane thekson se qëndrojnë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari nga përgjegjësit e këtij sulmi të neveritshëm.
“Italia dënon me vendosmëri sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar banesat vendase. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari nga përgjegjësit e këtij sulmi të neveritshëm”, thuhet në reagim.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e madh të vendit të tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas shpërthimit të fundit në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”.
Ambasadori Hovenier ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe ka ofruar mbështetjen e plotë të SHBA-së për autoritetet kosovare për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”./ Telegrafi