Prej disa vitesh policia e shtetit është në një mardhënie qiraje me koncesionaret e dhënies së makinave në përdorim.
Por në media u zbulua se patrullat e policisë smundet të ecnin teksa kalonin kilometrat edhe pse atyre u duhet të ndjekin krimin e organizuar i cili snjeh limit kilometrash, shpejtësie dhe karburanti.
WebLajm ka mësuar se si masë ndëshkuese kjo kontratë ka sanksionin 5 euro gjobë për kilometra të kaluar mbi 2800 km.
Për korrektësi burimet nuk sqaruan se 2800 km janë mujore apo vjetore, ndërsa logjikisht ato duhet të jenë mujore pasi vjetore i bie që cdo automjet policie vetëm të ndizet e të fiket njëherë në ditë për 365 ditët e vitit.
Në 2023 sqaruan burimet kjo kontratë do të anulohet dhe do të bëhet një e re ku kushti për të kufizuar me kilometrat e bëra patrullat e policisë nuk do të pranohet më.
Ky është materiali i Ministrisë së Brendshme e cila argumentonte pse ishte e nevojshme makina me qira në policim, njohur si Leasing. Por në avantazhet e Ministrisë, mungon disavantazhi i cili kufizon Patrullat në bërjen e kilometrave!
Avantazhet e mjeteve me leasing operacional të Policisë së Shtetit sipas MB
Ka disa mënyrë për rinovimin e flotës së mjeteve rrugore të Policisë së Shtetit:
-Blerje me fondet e buxhetit të shtetit apo bashkëfinancim, donacione nga organizata shtetërore apo private te huaja ose vendase;
– nëpërmjet marrjes me qira.
Marrja me qira, sipas analizave dhe studimeve të bëra, rezulton modeli më efektiv i përdorimit të flotave të makinave për qëllime pune në institucione dhe korporata. Ky model po përhapet shumë vitet e fundit në botën e zhvilluar dhe më gjerë.
Përhapja e këtij modeli lidhet me avantazhet financiare dhe operative në krahasim me modelet e tjera të blerjes me para në dorë ose të blerjes me anë të kredive nga institucionet financiare.
Perfeksionimi i industrisë së marrjes me qira (leasing operacional) po i bën këto avantazhe akoma më të dukshme.
Kështu, Policia synon t’i sigurojë trupës policore mjete gjithmonë e më të reja dhe në gjendje optimale pune.
Ndërkohë detyrimet për mirëmbajtjen teknike, defektet, riparimet dhe shumë aspekte të tjera burokratike e teknike, mbeten barrë e kompanisë që ofron shërbimin.
E gjithë flota e marrë me qira është njëherësh e pajisur me sisteme të avancuara GPS, të cilat bëjnë të mundur njohjen në kohë reale të situatës dhe vendndodhjes së çdo mjeti.
Nëse krahasojmë dy format e financimit, rezulton se marrja me qira është më efikase për kushtet, kërkesat dhe nevojat e Policisë.
Blerja e mjeteve zë drejtpërdrejt një zë të konsiderueshëm në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që marrja me qira e shtrin në kohë shpenzimin që duhet bërë për këtë shërbim.
Mjetet e blera si pronë e Policisë së Shtetit në fund të periudhës 7-vjeçare mbartin një vlerë shumë të vogël tregu, ose rreth 9 herë më të vogël se e alternativës së leasingut operacional.
Marrja me qira siguron gjithmonë mjete të reja për Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit paguan vetëm këstin mujor, dhe kjo pagesë shtrihet të paktën në një periudhë 4-vjeçare që është kufiri minimal i kontratës.
Kjo do të thotë se nuk është e nevojshme që shuma të investohet e gjitha përnjëherësh, si në rastin e blerjes.
Njëherësh, sipas programit dhe marrëveshjes, nëse një mjet prishet, kompania ka detyrimin e zëvendësimit të mjetit menjëherë me një tip tjetër, të ngjashëm ose të njëjtë deri sa defekti në automjet të jetë riparuar dhe mjeti të jetë gati për përdorim.
Kjo metode ka edhe një avantazh tjetër që mund të emërtohet si avantazh i imazhit. Makinat e përdorura do të jenë normalisht të reja (0 deri në 4 vjet).
Policia ka një përvojë të vyer të efikasitetit të kësaj praktike, pasi gjatë vitit 2017 janë marrë me qira për një afat 4-vjeçar, 53 mjete të reja, ndërsa gjatë vitit 2018 kjo shifër u rrit në 134 autovetura të tjera.
Skema e rinovimit të mjeteve do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme kushtet e punës të punonjësve të Policisë së Shtetit duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e performancës së trupës policore.