Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që trajton krimet e luftës në Kosovë, njoftoi se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale të pengimit të drejtësisë.
Në njoftim thuhet se zotit Thaçi iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Në njoftim theksohet se Prokuroria ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakjan, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Që të tre u arrestuan të enjten dhe tashmë janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Të enjten prokuroria bastisi edhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndërsa sot prokuroria tha se i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, thuhet në njoftim, mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë.
Aktakuza pretendon se zoti Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Zoti Thaçi dhe tre të arrestuarit pritet të paraqiten të dielën para gjykatësit ndërsa zoti Kuçi pritet te paraqitet të hënën.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e trajton pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim.
Me 3 prill të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan në vjeshtën e vitit 2020, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Të gjithë të akuzuarit i mohojnë pretendimet e prokurorisë.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por, kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme, ndonëse ishte në themel të idesë për themelimin e gjykatës.
Deri tani Gjykata e Posaçme ka dënuar dy ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengimin e drejtësisë.
Gjykata ka shqiptuar ndërkaq dy aktgjykime për krime lufte.
Ish komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet heqje lirie në dhjetor të vitit 2022, nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Dhoma e Apelit e kësaj gjykate i uli dënimin në 22 vjet, ndërsa në shtator të vitit dënimi u tij u ul në 15 vjet heqje lirie.
Në muajin korrik të këtij viti Gjykata e dënoi me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala për veprat ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje./ VOA