Me datë 4 janar 2025 do të nisë aplikimi i tarifës në segmentin Thumanë-Kashar. Ky informacion është bërë i ditur nga shoqëria konçesionare përkatëse, e cila e cilëson këtë aks si një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë.
Më herët është lajmëruar se pagesa nuk do të jetë më pak se 2.1 euro pa TVSH për automjet, ndërsa me TVSH do të jetë 2.52 euro. Segmenti Thumanë-Kashar u hap për qarkullimin e automjeteve në datën 30 qershor të këtij viti dhe deri më tani, kalimi ka qenë pa pagesë.
Aksi Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. Kjo nënkupton jo vetëm standarde evropiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit. Ky aks rrugor është aksi i parë ku qarkullohet me një limit shpejtësie deri në 130 kilometra në orë.
Autostrada Thumanë-Kashar është pjesë e Korridorit Blu, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që lidh vendin nga veriu në jug, duke qenë pjesë e një korridori ndërkombëtar. Aksi rrugor lehtëson të gjithë trafikun që krijohet në autostradën e veriut, apo problematikat në Aeroportin e Rinasit.
Thumanë-Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe nyje të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksin rrugor Tiranë-Durrës./ Scan