Sulmi i së premtes vonë në Magedburg (20.12.) ka tronditur Gjermaninë dhe ka shkaktuar reagime të mëdha. Landi Saksoni-Anhalt shpalli ditë zie deri të hënën në mëngjes. Kancelari, Olaf Scholz pritet të vizitojë të shtunën vendin e ngjarjes. Scholz shkroi në X: “Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë krah tyre dhe pranë njerëzve në Magdeburg”. Kancelari gjerman shprehu falënderimin e tij për “forcat e përkushtuara të shpëtimit në këto orë ankthi”.
Edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. “Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre”, shkroi presidenti në platformën X. “Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre.” Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende “nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm.”
Nga ana e saj, Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh “solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson “refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online X.
Çfarë ndodhi?
Një makinë u përplas në një turmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të premten, e sipas informacioneve në një raport të brendshëm nga policia e Magdeburgut thuhet se kjo ndodhi pak pas orës 19:00. Të shtunën u tha se 5 persona ndërruan jetë, dhjetëra janë të plagosur. Sipas administratës së qytetit të Magdeburgut, 15 prej tyre u plagosën rëndë. Një i dyshuar është arrestuar. Shoferi i një BMW-je të zezë të marrë me qira u fut në turmë “të paktën 400 metra mbi tregun e Krishtlindjeve”. Tregu i Krishtlindjeve u mbyll.
Kush është i dyshuari?
I dyshuari i arrestuar mësohet se është një mjek 50-vjeçar, Taleb A., i cili vjen nga Arabia Saudite dhe ka ardhur në Gjermani në vitin 2006. Sipas hulumtimeve të WDR dhe NDR, ai thuhet se është një figurë shumë e spikatur në komunitetin e migrantëve sauditë dhe konsiderohej person kontaktues për azilkërkuesit, veçanërisht gratë. Ai ka statusin e azilit si refugjat politik që nga viti 2016. Nuk ka informacione për motivin. Kryeministri i landit, Haseloff tha se hetimet janë në vazhdim.
Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, të cilave u referohet agjencia e lajmeve dpa, i dyshuari i arrestuar nuk ishte i njohur më parë për autoritetet gjermane si ekstremist. Deklaratat e deritanishme që i dyshuari ka bërë deri para pak kohësh në rrjetet sociale japin dëshmi se ai mund të jetë ndjerë i përndjekur. Sipas hulumtimit të WDR, ai ishte jashtëzakonisht kritik ndaj islamit në internet dhe se i frikësohej islamizimit të Gjermanisë. Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten “kritikun më agresiv të islamit në histori”. Dw