Sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria të cilat janë bllokuar nga shteti kroat.
Por ndërsa është shfaqur një problematikë e re, Ministria e Bujqësisë ka reaguar mbi tre ngarkesat e para të cilat u bllokuan nga shteti kroat, ku ka bërë më dije se AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë , si dhe masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer së bashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme.
Nga ana tjetër, Ministria bën me dije se në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.
Ministria e Bujqësisë nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim. Referuar këtij institucioni, për vitin 2024 mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve. Sot, kultivimi i mandarinave shtrihet në mbi 1,000 ha nga fermerë tregu dhe prodhues më të vegjël.
Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun evropian e mbarë botëror./ Scan