Turqia ka vijuar të mbetet e para në listën e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, për të tretin tremujor radhazi gjatë vitit 2024.
Kështu ka zbuluar një publikim i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili tregon se për tremujorin e tretë radhazi, investimet turke kanë pasur vlerën e 58 milionë eurove – shifër kjo e përafërt me atë të një viti më parë për të njëjtën periudhë.
Në tërësi, për një periudhë nëntë-mujore, investimet e kompanive me kapital turk kanë kapur vlerën e 204 milionë eurove, duke reflektuar një rritje prej 62%, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fund të shtatorit, sipas raportimit të Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve turke arriti vlerën e 1.22 miliardë eurove, duke treguar një rritje me 26%, nëse krahasohet me vitin e shkuar.
Ndërmarrjet turke prej kohësh kanë treguar qartë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare në sektorin financiar, atë të energjisë, apo edhe në ndërtim.
Shkëmbimet e shumta mes dy vendeve, takimet e rangjeve të larta dhe marrëveshjet e ndryshme lehtësuese, kanë ndihmuar po ashtu në një klimë më të favorshme biznesi dhe në afrim të investitorëve turq në vend.
Megjithatë, rritja e stokut të investimeve mund të jetë e lidhur edhe me ndryshimet e mëdha në kursin e këmbimit valutor, me rënien e euros, apo edhe ndryshimet nga çmimi.
Pas Turqisë ndërkohë, investitori i dytë më i madh është Italia, me fluks 148 milionë euro për periudhën nëntë-mujore në vitin 2024. Rritja e investimeve italiane ka qenë e lehtë, me 3.5%. Stoku i investimeve italiane ndërkaq ka arritur në 1.67 miliardë euro, duke shënuar rritje me 20% krahasimisht me një vit më parë.
Holanda, dikur kryesuese, ka zbritur në vendin e tretë, ndjekur më tej nga investimet austriake, ato kosovare e më tej ato gjermane./ Monitor