Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha është shkarkuar nga detyra që mbante.
Në vend të tij, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka caktuar si drejtues të përkohshëm Indrit Çobanin.
Njoftimi i MEKI:
Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, Altin Basha. Pas këtij lirimi MEKI do të çelë një proces përzgjedhjeje për drejtues të ri të TK. Ndryshimi synon në përmirësimin e nivelit drejtues dhe të cilësisë së mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe administrativ, rritjen e transparencës institucionale dhe sjelljen e një fryme të re komunikimi publik dhe bashkëpunimi ndaj komunitetit artistik e profesional.
Me zbardhjen e vendimit, MEKI do të komandojë si drejtues të përkohshëm z Indrit Çobani.
Basha dyshohet se ka abuzuar me fondet e teatrit, dhe më konkretisht bëhet fjalë me kostumet e shfaqjes “Vojçek”. Mësohet se ai ia kishte besuar kostumet bashkëshortes së tij Ilirjana, e cila i siguronte kostumet me kosto më të lartë.
Pas publikimit të rastit në një emision investigativ, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ngriti një grup të posaçëm për të vërtetuar akuzat e ngritura.