78 vite janë pak për një Republikë, e cila, që nga krijimi i saj i pavarur, ka provuar Monarkinë dhe po ashtu tentativën e rikthimit të saj. Më 11 janar 1946, Shqipëria vendosi të formëzonte Republikën, aty ku populli ka të drejtën të vendos me votë.
Personalisht, por jo vetëm, mendoj se Republika ku vendos populli dhe politika (çdo politikë sado e keqe) është gjithmonë më e mirë se Republika e magjistratëve. Thënë kjo, duke marrë parasysh perceptimin aktual, Shqipëria me SPAK dhe GjKKO po bëhet një “Itali e vogël”, aty ku Silvio Berlusconi, për më shumë se dy dekada, u përball me magjistratët dhe e mbylli karrierën e tij pa kaluar asnjë ditë në burg dhe me dhjetra proçese penale të papërfunduara.
Rikthyer në realitetin tonë, Monarkia shqetësoi jo pak nën emrin e mbretit Zog Gazment Bardhin.
E përfshiu në një mitmarrje, duke e akuzuar për marrjen e 100 mijë eurove për vota. Bardhi kishte vetëm një mundësi për të bindur publikun se kjo akuzë nuk ishte e vërtetë. Përgenjështrimin.
Si mund të bëhej kjo? Ligjërisht, duhej një hetim.
Në shtator, Bardhi kërkoi nga SPAK një hetim të ligjshëm dhe normal, dhe SPAK u përgjigj publikisht: Ato mesazhe janë të rreme dhe të montuara.
Në mungesë të këtij hetimi dhe përgjigje nga SPAK, Bardhi, si deputet i Republikës, do të vazhdonte të ishte një politikan i damkosur dhe i santazhuar. Në këtë rast, Bardhi, politikan nga i cili pritet një frymë e re politike, nuk pati asnjë akuzë ndaj SPAK dhe nuk pati asnjë qëndrim kritik ndaj tij. Megjithatë, duke besuar, i la në dispozicion telefonin e tij për të kryer hetimin.
E kundërta ndodhi me një informacion që Bardhi depozitoi në SPAK, ku kërkoi që të rihetohej çështja e “Xibrakës”, pasi ishte fshehur përfshirja e Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit që drejton Republikën, në të cilën edhe Bardhi është qytetar dhe deputet. Rezultati i hetimeve të SPAK nuk u pranua nga Bardhi.
Ndryshe nga rasti i Mbretit Zog, këtë herë ai e cilësoi SPAK një institucion qesharak.
Politikisht, deputeti Bardhi, si politikan, ka të drejtën e tij për çdo qëndrim dhe deklaratë. Por SPAK nuk është politikë, SPAK nuk është Republikë dhe SPAK nuk mund të jetë kurrsesi Mbreti që vendos se kush do të ndëshkohet apo pafajsohet kur provat mungojnë!
SPAK nuk i dha pafajësi Olsi Ramës, ndaj që politika të mos bëhet qesharake, duhet të vendos një herë e mirë: O ta besojë këtë institucion të miratuar me 140 vota, ose të bëjë politikë pa përfshirë drejtësinë.