Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë, nuk është shoqëruar me anulime fluturimesh. Drejtori i përgjithshëm i Aviacionit Civil Maksim Et’hemaj, ka thënë se mund të ketë vetëm disa vonesa, por pas mesnatës moti pritet të përmirësohet, kjo duke u bazuar në sistemet e parashikimit meteorologjik në avancë.
“Aviacioni civil del në këtë komunikim në lidhje me situatën e fundit të motit me të cilën po kalon Shqipëria. Aviacioni Civil, sikurse e dini, është i prekshëm përkundrejt kushteve të motit, e për rjedhojë ka zhvilluar sisteme për parshikimin e motit në avancë.
Bazuar në këto sisteme, duke filluar nga mbrëmja e djeshme, Shqipëria është futur në një cikël meteorologjik të paqëndrueshëm, ku kemi prezencë ere të fortë në veri me dëborë në zonat veriore; lindore dhe jug-lindore, të cilat do të jenë të intensifikuara deri në mbrëmjen e ditës së sotme. Do ketë reshje në zonën perëndimore dhe jugore, të cila priten me intensitet në Gjirokastër, Tepelenë dhe Sarandë, pas orës 20:00. Si dhe do të kemi fenomene moti në lartësitë deri në 3000 m. Ky informacion është i bashkërenduar edhe me oraganizmat e tjerë të Ministrisë së Transporteve, të cilat bëjnë koordinimet mes tyre.
Si pasojë e motit të keq, pritet të ketë disa vonesa në fluturime sidomos në ngritje të avionëve nga aeroporti i Rinasit, kjo për shkak të procedurave (shkrirjes së akullit nga krahët e avionit ose prezencës së erës). Nuk presim të kemi anulime të fluturimeve, apo ndryshim të drejtimit të fluturimeve. Kjo situatë meteorologjike pritet të jetë prezente deri në mesantë të kësaj të diele, ku gradualisht do të nisë përmirësimi i motit” – tha kreu i Aviacionit Civil./ Scan