I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dhënë dëshminë e tij para GJKKO.
Ai ka zbuluar se si arriti të dilte nga qelia, teksa kishte qenë nën arrest. Dumani zbuloi se avokati Alban Bengasi ishte ndërmjetës dhe se është ndihmuar nga vëllai i ish-ministrit të drejtësisë asokohe, Nasip Naço.
“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i mbesës së Nasipit (vajzës së vëllait), që është mjek”, ka dëshmuar ai.
Dumani gjithashtu ka treguar se e ka ndihmuar dhe një mjek ligjor dhe u lirua në vitin 2014, por veprimet kishin nisur më herët, me ndihmën e avokatit.
“I bënë letrat sikur isha për të vdekur. Dhe më nxorën nga burgu gjasme vuaja nga zemra”, tha ai.
Për të dalë nga qelia Dumani ka paguar 40 mijë euro dhe pasi siguroi dokumentin për probleme shëndetësore, përfitoi lirinë.
Diagnoza që solli lirimin e Dumanit 11 vite më parë:
Nga ana e organit të prokurorisë është kërkuar të verifikohet edhe gjendja shëndetësore e të pandehurit Nuredin Dumani dhe për këtë qëllim është kryer akti i ekspertimit mjekoligjor nr.., datë 07.05.2014, pasi është shtruar në QTUS, në sallën e reanimacionit, për shkak të semundjes së zemrës.
Në konkluzionet e aktit të ekspertimit rezulton se:
“1.-Referuar të dhënave të kartelës klinike dhe dokumenteve të çështjes si dhe historikut të sëmundjes shtetasi Nuredin Dumani vuan nga regurgitacion aortal i moderuar, insuficensë kardiake NYHA II, dilatacion i ventikulit të majtë, aritmi venttrikulare, kardiomiopatia hypertensive, sëmundje të cilat kanë ardhur si pasojë e një defekti të lindur të aortës.
2.-Në stadin aktual gjendja shëndetësore e këtij shtetasi është e pastabilizuar, gjendje e cila nuk e lejon qëndrimin e tij në kushtet e paraburgimit.
Pas deklaratve të Nuredin Dumanit në gjyq, ka reaguar edhe ish Ministri Nasip Naço i cili thote se Spak duhet të hetojë duke mos kursyer as atë dhe ai distancohet nga këto akuza.
Reagimi Naços
Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:
- Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
- Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:
- Nuk heton,
- Nuk ngre akuza,
- Nuk pushon çështje,
- Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.
Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.
- Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
- Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.
Faleminderit!