Kryeprokurori i Sarandës, Kledian Llaho është në hetim nga SPAK dhe ndaj tij është caktuar masa e pezullimit nga detyra.
Ai akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë” dhe dyshohet se Llaho ka kryer veprime korruptive, nga të cilat do përfitonte vjehrri i tij.
Gjithashtu ka dyshime se gjatë ushtrimit të detyrës si prokuror dhe kryetar i Prokurorisë së Sarandës, Llaho ka kryer veprime të paligjshme edhe në raport me persona të tjerë duke abuzuar kështu me funksionin e tij.
“Personi nën hetim, magjistrati, Kledian Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij“, njoftoi SPAK.
Kundrejt tij ka nisur një hetim disiplinor edhe nga ILD për shkelje të rëndë disiplinore.
ILD kërkon heqjen e 40% të pagës, teksa vendimi u shty për në seancën e radhës.