Në vitet e fundit, shumë të rinj shqiptarë kanë zgjedhur të ndjekin studimet e larta, me një prirje të dukshme drejt degëve si teknologjia, inxhinieria, ekonomia dhe mjekësia. Por, çfarë po kërkon aktualisht tregu i punës? A përputhen këto trende të diplomimeve me nevojat reale të tregut të punës?
Pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë zgjedhin të ndjekin studimet e larta, por sa prej tyre e përfundojnë ciklin e plotë akademik, duke përfshirë Bachelor dhe Master? Një analizë e trendit të të diplomuarve në programin Bachelor gjatë vitit 2020 dhe të diplomuarve në Master tri vite më vonë tregon se 76% e tyre zgjedhin të vazhdojnë studimet në nivelin Master.
Sipas fushave të studimit, arsimtarët janë ata që shfaqin përqindjen më të lartë të atyre që, sapo përfundojnë Bachelorin, vazhdojnë masterin. Pas tyre renditen fusha e biznesit, administratës dhe ligjit, ndërsa më pak të interesuar janë të diplomuarit në “shkencat natyrore, matematikë dhe statistikë”, ku vetëm 0.29% e tyre vazhdojnë masterin.
Analiza e tregut të punës për ofertat e punësimit të publikuara nga AKPA( Agjensia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Dua Punë dhe Njoftime.AL gjatë muajit të fundit tregon se profili i ekonomistit (Ekonomi, Financë, Kontabilitet, Biznes) është më i kërkuari, duke përbërë rreth 17% të vendeve të lira të punës. Më pas pasojnë profili i inxhinierisë dhe i IT-së, me rreth 2.24% dhe 1.8% të punëve aktive respektivisht. Në profesionet inxhinierike kryeson Inxhinier Ndërtimi ndjekur nga Inxhinier Elektrik dhe Inxhinier Mekanik.
Pra, në përgjithësi, profesionet që lidhen me ekonominë, inxhinierinë dhe teknologjinë e informacionit vazhdojnë të jenë ndër më të kërkuarit nga punëdhënësit, Ndërkohë, fusha si shkencat sociale, arsimi dhe ligji duket se hasin sfida për t’u pozicionuar me sukses në treg. Pavarësisht numrit të lartë të juristëve që diplomohen çdo vit, vetëm 0.5% e vendeve të punës të analizuara i përkasin këtij profesioni, duke ngritur pyetje mbi balancën mes edukimit dhe kërkesave reale të tregut të punës./ Scan