Viti 2024 shënoi një rekord historik për transportin ajror në aeroportin e Rinasit, duke i kthyer linjat ajrore në qendër të aktivitetit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Rritja e numrit të vizitorëve të huaj, shtimi i udhëtimeve të shqiptarëve për pushime jashtë vendit dhe disa faktorë të tjerë kanë ndikuar në zgjerimin e ndjeshëm të trafikut ajror. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 68,346 ulje dhe ngritje të avionëve.
Muajt e verës, tradicionalisht të ngarkuar për turizmin, kanë shënuar pikat kulmore të këtij trafiku. Gjatë periudhës qershor-korrik janë regjistruar rreth 21 mijë lëvizje, duke përfaqësuar gati një të tretën e totalit vjetor.
Llogaritjet tregojnë se mesatarisht, në një ditë ka pasur rreth 187 ulje dhe ngritje avionësh, ndërsa në çdo orë janë kryer pothuajse 8 fluturime. Ky ritëm është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2023, me një shtesë prej mesatarisht 3 fluturimesh më shumë për çdo orë.
Për sa i përket ndarjes së tregut mes linjave ajrore, dy kompani low-cost kanë dominuar dukshëm me një raport të madh.
Këto dy kompani kanë realizuar rreth 51 mijë fluturime, që përbëjnë 75% të totalit vjetor. Një prej tyre ka kryer më shumë se gjysmën e totalit të transportit ajror, duke pasur një ndikim të madh në treg.
Nga ana tjetër, 18 kompanitë e tjera që operojnë në aeroportin e Rinasit kanë realizuar vetëm 8,800 fluturime, ose më pak se 25% të totalit.
Ky dominim i linjave low-cost reflekton një transformim të tregut ajror shqiptar, ku çmimet e ulëta dhe fleksibiliteti janë bërë faktorë vendimtarë për udhëtarët./ Scan