Në një postim dhe denoncim në FB Tedi Blushi nga Partia e Lirisë akuzon se SPAK po shkel ligjin duke penguar një deputet dhe eurodeputet të takojnë presidentit e PL z.Ilir Meta. ËebLajm ka pyetur prokurorinë e posaçme e cila tha se ska asnjë kërkesë të tillë deri më tani.
Postimi i Blushit
Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët.
Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision ka arrestimin, hetimin, shantazhimin dhe izolimin në ekstrem të drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin.
Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet.
Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!
Pyetje drejtuar Prokurorisë së Posaçme nga WebLajm.com
A keni marrë një kërkesë nga z.Dule, z.Beleri apo Partia e Lirisë dhe në rast të refuzimit të kësaj kërkese me çfarë argumenti?
SPAK: Jo skemi marrë asnjë kërkesë të tillë për leje takimi.
Në përgjigje të kërkesës tuaj ju bëjmë me dije si vijon:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.