Pilotët, Forcat Speciale, Zhytësit, Forcat Komando dhe shumë kategori të tjera do të përfitojnë rritje nga 13.000 – 100.000 lekë.
Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes, shtesa për kushte të veçanta pune për pilotët ishte 80.000 lekë bëhet 100.000 lekë, NJUSK ishte 50.000 lekë bëhet 70.000 lekë ndërsa ASNI ishte 35.000 lekë bëhet 40.000 lekë.
Sipas ministrit investimi në kapacitetet njerëzore, me fokus trajtimin dinjitoz të efektivëve ushtarakë dhe rritjen e nivelit të tyre profesional, është tashmë një realitet.
Rreth 6.000 ushtarakë, ndër të cilët 2.500 për herë të parë, tashmë trajtohen zyrtarisht me shtesa të konsiderueshme financiare.
Referuar informacionit të publikuar në rrjetet sociale përfitime të veçanta financiare do të kenë kapacitetet kombëtare si Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia kibernetike, operatorët e dronëve, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë njësi të tjera të rëndësishme.
Sipas njoftimit qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes mbeten të përkushtuara për të rritur trajtimin financiar të efektivëve të Forcave të Armatosura çdo vit, duke synuar përafrimin me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO./Scan