WebLajm.com ka siguruar ekskluzivisht tabelën e llogarive prej 10 milionë euro, që prokuroria u ka sekuestruar të dyshuarve si pjesë e grupit kriminal të mikro-kredive. Tabela ka zbuluar një fakt që ka bindur edhe prokurorinë e Tiranës ta referojë dosjen në SPAK si grup kriminal.
Paratë që këta pjesëtarë të dyshuar kanë fituar në mënyrë të paligjshme nga interesa apo komisione abuzive, apo edhe nga marrja e pronave të shqiptarëve, i kanë investuar në banka si llogari investimi ose obligacione thesari.
Në këtë tabelë rezulton se disa prej investimeve janë pikërisht në bankat ku më parë këta anëtarë kanë blerë edhe kredi të këqija për t’i “zhvatur” më pas përmes një skeme kriminale ndaj shqiptarëve.
Banka Kombëtare Tregtare, nga dokumentet e hetimit të prokurorisë, rezulton se i ka shitur këtij grupi kredi të këqija. Më pas, zonja Ibro, e veja e të ndjerit Olsi Ibro, ka investuar në BKT, duke përdorur paratë e fituara në mënyrë të paligjshme në formë obligacionesh.
Investime në BKT ka pasur edhe vetë i ndjeri Ibro, para tashmë të sekuestruara për llogari të hetimit që është nisur nga prokuroria e Tiranës dhe që po ndiqet nga SPAK. Po ashtu, Investime në BKT ka edhe Arben Meksuti, për të cilin gjykata e Posaçme ka refuzuar të heqë masën e sigurisë “Arrest në Burg”.
Pjesë e dosjes që po heton SPAK
Në kuadër të procedimit penal nr.3624/2024, me vendimin e Prokurorit për sekuestrimin e llogarive, të datës 29.05.2024, është vendosur sekuestrimi i llogarive bankare, të shtetasve Arben Konstandin Meskuti, dtl. xxxxx, Ernela Eduart Cuberi, dtl. xxxx, Olsi Esat Ibro, dtl. xxxxx, Elda Bukurosh Ibro, dtl. xxxxx, subjektit “Final”, shpk, subjektit “Micro Credit Albania” sha, personit fizik Ernela Cuberi, shtetasit Albert Gega, personit fizik Albert Gega, shtetasit Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, si më poshtë
Vendimi për Meksutin
Në një hark kohor prej dy javësh, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Arben Meksutit për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”. Meksuti mbahet në qelitë e paraburgimit nën dyshimin se ka mashtruar mijëra qytetarë debitorë përmes mikrokredive. Ky i fundit është pronar i disa shoqërive financiare që ngritën skema piramidale.
Procedimi penal për skemën e mashtrimit me mikrokreditë nisi në shkurt të vitit 2020 nga prokuroria e Tiranës, pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë, ku organi i akuzës zbuloi se pesë shoqëri: Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera gjatë viteve me një shumën totale prej rreth 7.3 milionë euro.
Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë për dosjen e mikrokredive, duke e referuar atë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Lexo më Shumë / Bankat dhe Skema e Mikro Kredive