Referuar publikimit të Bankës së Shqipërisë për depozitat bankare, “Scan Intel” ka kryer një analizë të detajuar për të kuptuar se cilat qarqe të vendit kanë arritur të kursejnë më shumë gjatë vitit 2024. Lezha, është në vend të parë, me depozitat nëpër banka që janë rritur me 16.3% gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vitin 2023. Më pas ndjek Vlora, me një rritje prej 8.3% të depozitave bankare. Pas Vlorës, në terma rritje vjetore të depoztave pozicionohen Shkodra dhe Durrësi, që i shtuan kursimet e tyre në banka me 4.7% dhe 4.3% respektivisht. Në tre vendet e fundit renditen Tirana, Fieri dhe Elbasani.
Nëse analizojmë shifrat në terma absolutë, pra rritja e depozitave sipas qyteteve në vlerë rezulton se Tirana që mban vendin e parë ka rritur depozitat bankare me 32.7 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar, ose me 330 milionë euro. Në vend të dytë ndjek Vlora, me rreth 76 milionë euro rritje dhe Durrësi mban vendin e tretë, me 49.5 milionë euro më shumë para në bankë gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin 2023.
Renditja vijon me Lezhën me 46.5 milionë euro rritje, Shkodrën me 27.3 milionë euro rritje, Elbasanin me 26.2 milionë euro rritje të depozitave në bankë , ndërkohë që në vend të fundit gjejmë Korçën, i vetmi qark me rënie të kursimeve. Vlera e depozitave në 2024 ishte gati 9 milionë euro më pak se nëj vit më parë. Këto shifra i referohen të gjitha depozitave bankare, pra jo vetëm individëve, por edhe paratë e bizneseve, bankave, shoqërive të kursim kreditit, qeverisë lokale apo qendrore.
Por si ishte prirja e individëve dhe bizneseve për të kursyer? Shifrat tregojnë se në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë orientimi ishte drejt depozitave në monedhën e përbashkët europiane e cila përbën dhe peshën më të madhe ndaj depozitave totale. Ndërsa në qarqet e tjera ishin preferenciale depozitat në monedhën kombëtare, nisur kjo edhe nga kushtet favorizuese të tregut të këmbimit valutor ku leku ishte i mbivlerësuar krahasuar me euron gjatë vitit 2024./ Scan