Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama ndaj arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.
KLGJ ka kërkuar që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’, që cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqtarëve.
Njoftimi i plotë i KLGJ:
“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik, si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.
Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë”.
Kujtojmë se ditën e sotme Rama reagoi sërish për arrestimin e Veliaj, ku tha se u bë një burgosje pa gjyq e kryebashkiakut dhe u ndërpre arbitrarisht kontrata e tij me qytetarët, teksa gjykimi ndaj tij mund të vazhdonte në gjendje të lirë.
Sipas Ramës, SPAK dhe GJKKO do të mbështet, por nuk do të heshtet për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standardet.
“Kanalet kërkuaka debate PS – PD për rastin e Erionit, pra nuk paskan kuptuar akoma se ne kemi kaluar nga pesë vjet heshtje në një fazë të re, kur do t’i japim vetes të drejtën të bëjmë komentet tona konstruktive për standartet dhe shkeljet në procese, por nuk kemi ndryshuar thelbin e qëndrimit tonë se PS nuk është zyrë avokatie e askujt që është proces, përfshirë edhe Erjonin.
E para, fakti që burgosja pa gjyq e kryetarit të bashkisë, për një problematikë që s’ka asnjë lidhje me kushtet kur jepet kjo masë, duke ndërprerë arbitrarisht kontratën e tij me zgjedhësit, kur gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë, ka të bëjë me standartet jo me fajësinë a pafajësinë e Erjonit, të cilën duhet ta ndajë drejtësia jo debatuesit e PS.
E dyta, nuk ka asnjë shans që ne të bëhemi pjesë sharjeshpifjeve nokturne për çështje të drejtësisë, kur kanalet bëhen si gjykatat e pazareve të mesjetës, ku gjuhet me gurë nga të katër anët dhe ku kuakuakuatë e kënetës politiko-mediatike arrijnë klimaksin e tyre.
Dhe e fundit, askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAKUN e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re europiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarte demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë.
Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standartet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin!
Ja kështu dhe përveç spektaklit të sharjeshpifjeve e të teorive idiote të konspiracionit në ato kanale, shërbejini pak edhe të vërtetës, duke kërkuar ku janë provat, a mjaftojnë a s’mjaftojnë, a janë a s’janë kushtet për burg pa gjyq e me radhë, por jo me partitë politike e aq më pak me kënetën opozitare”-tha Rama.