Pas një seance maratonë nisur në 8.30 të mëngjezit të së mërkurës ku kryebashkiaku Erion Veliaj u përballë me prokurotët e Spak.
Gjykata e posaçme vendosi lënien në fuqi të arrestit në qeli për të dhe biznesmenin Elman Abule.
Për bashkëshorten e z.Veliaj, gjykata vendosi ndryshim mase nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.
Për biznesmenët u la në fuqi masa detyrim paraqitje.
Kjo seancë u ndoq nga prokurët Ols Dado dhe Altij Dumani. Ata kërkuan lënien në fuqi të masave.
Ndërsa para gjykatës Veliaj deklaroi se vila që spak thotë është pasuri e fshehur sështë fare e tija.
Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar.Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes.Ndërkohë prokurori tha: Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale, buzëkuq dhe bizhuteri.
VENDIM
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
- Kërkuesi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
- Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosur për personat nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, F.B. dhe Shkëlqim Fusha me vendimin Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit me karakter shtrëngues të vendosur ndaj këtyre shtetasve.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 248 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, vendosi:1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, caktuar ndaj personit nën hetim Ajola Xoxa me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale.
- 3. Urdhërohet personi nën hetim Ajola Xoxa që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 11:00.
- 4. Urdhërohet personi nën hetim Ajola Xoxa të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
- 5. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit nga personi nën hetim Ajola Xoxa.
- 6. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Elman Abule me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- 7. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Gentjan Sula me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
- 8. Urdhërohet personi nën hetim Gentjan Sula që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji, ora 14:00.
- 9. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Meriman Palushi me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
- 10. Urdhërohet personi nën hetim Meriman Palushi që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji, ora 14:30.
- 11. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim F.B. me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
- 12. Urdhërohet personi nën hetim F.B. që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 11:15.
- 13. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Shkëlqim Fusha me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
- 14. Urdhërohet personi nën hetim Shkëlqim Fusha që të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore A.H, S.G, R.N dhe B.K, të enjten e parë dhe të katërt të çdo muaji, ora 14:30.
- 15. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.
- 16. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Veliaj do të transferohet mbrëmjen e sotme në paraburgimin e Durrësit.