Asnjë para dhe tetraplegjik në Shqipëri nuk do jetë pa karrige me rrota. Fondacioni Mane dhuron 1,000 karrige me rrota.
Fondacioni Mane, në bashkëpunim me Fondacionin “Fundjava Ndryshe”, ka prezantuar nismën për të pajisur të gjithë personat para dhe tetraplegjikë në Shqipëri me karrige me rrota. 100 karrige me rrota do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë si aksion i parë.


Prezantimi publik i këtij projekti u zhvilluan ambientet e pallatit të sporteve “Asllan Rusi” ku edhe filloi shpërndarja e karrigeve me rrota për rrethin e Tiranës. Ky projekt do të zhvillohet edhe me mbështetjen e Shërbimit Social Shtetëror dhe Shoqatës së “Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë”.
Qëllimi i këtij projekti është që asnjë person para dhe tetraplegjik në Shqipëri të mos e ketë më mungesën e karriges me rrota. I prezantuar në Tiranë aksioni do të vazhdojë me shpërndarjen e 1,000 karrigeve me rrota në të gjithë vendin.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Fondacionit Mane, Samir Mane, tha se shpërndarja e karrigeve me rrota për individë me aftësi të kufizuara është një angazhim sa i fondacionit, po aq edhe personal. “Kemi sjellë 1’000 karrige me rrota që do të shpërndahen duke filluar nga sot, por jam i sigurt që ky është vetëm hapi i parë.
Ju premtoj se Fondacioni Mane do të vijojë punën që të gjithë personat para dhe tetraplegjikë në Shqipëri të kenë karrige me rrota dhe të kenë pavarësinë dhe lehtësinë e munguar”, – tha Samir Mane.



Presidenti i Fondacionit Mane dhe Grupit BALFIN, Samir Mane, shtoi se kjo nismë është vetëm një përpjekje e radhës, për të garantuar në shoqëri një jetesë dinjitoze për të gjithë individët para dhe tetraplegjikë, e kryesisht për ata me vështirësi ekonomike.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, e përforcoi qëndrimin e Presidentit të Fondacionit Mane. “Ne, nëpërmjet kësaj nisme, së bashku me Fondacionin Mane, do të shkojmë derë më derë, në çdo cep të Shqipërisë, atje ku ka njerëz që vuajnë për një karrige; atje ku na kanë shkruar dhe presin që ne të trokasim në dyert e tyre”, – tha Arbër Hajdari.
Bajram Tirana, Kryetari i Shoqatës “Invalidë Para dhe Tetraplegjikë”, ndërsa ndau eksperiencën e tij personale dhe nevojat e veçanta të individëve që përfaqëson, e cilësoi nismën e Fondacionit Mane dhe organizatës “Fundjavë Ndryshe” si shembullin më të mirë të përpjekjeve të përbashkëta për të ndihmuar dhe mbështetur një shtresë të shoqërisë që ka shumë nevoja.
Në përfundim të ceremonisë së sotme u shpërndanë karriget me rrota për komunitetin e para dhe tetraplegjikëve të rrethit të Tiranës. Të ndodhur në aktivitetin e sotëm ishin rreth 300 persona para dhe tetraplegjik që u pajisëm me karrige me rrota. Ndërkohë për pjesën tjetër që nuk e patën të mundur të vinin në prezantimin e nismës do u dërgohet në shtëpi. Vullnetarët e Fondacionit Mane dhe të Fondacionit Fundjavë ndryshe, të mbështetur edhe nga stafi i Shërbimit Social Shtetëror do trokasin derë më derë për t’u dorëzuar karriget me rrota. E njëjta qasje do të jetë edhe për rrethet e Shqipërisë.
Prej formimit, Fondacioni Mane ka arritur të bëjë një ndryshim të prekshëm në jetën e shumë individëve, duke angazhuar vazhdimisht për çështje të cilat lidhen me edukimin, rininë, ruajtjen e mjedisit, shëndetin dhe mirëqenien e grupeve të caktuara shoqërore në nevojë. Nisma më e fundit është pjesë e qindra projekteve sociale të Fondacionit.