Në vitet e fundit, zhvillimi i bizneseve në Shqipëri ka qenë pozitiv, me disa sektorë që kanë treguar rritje të konsiderueshme, ndërkohë që numri i ndërmarrjeve është rritur po ashtu. “Scan Intel” ka analizuar dhe përpunuar të dhënat për të kuptuar se sa është raporti i sipërmarrësve me popullsinë në vendin tonë. Duke qenë se ekonomia e tregut në vendin tonë është e bazuar më së shumti në sipërmarrje të vogla, kryesisht familjare, atëherë edhe këtë analizë e kemi bërë në bazë të familjeve. Bizneset e vogla me 1 deri në 4 punonjës, përbëjnë shumicën dërrmuese të ndërmarrjeve në Shqipëri me 86% të peshës. Theksojmë se janë marrë në analizë vetëm ndërmarrjet aktive për vitin përkatës.
Pra, sa familje kanë një ndërmarrje? Në rang kombëtar, rezulton se për çdo 100 familje, 17 të tilla kanë një biznes, pra 17%, ose gati një në pesë familje. Në këtë analizë ne kemi renditur edhe qarqet sipas atyre me më shumë biznesmenë, dhe atyre me më pak biznesmenë. Në vend të parë, me më shumë familje sipërmarrëse mesatarisht, rezulton të jetë qarku i Tiranës, me rreth 25 të tilla për 100 familje. Në vend të dytë ndërkohë ndjek qarku i Durrësit me rreth 19.6 familje biznesmene ndër 100. Vlora ndërkohë mban vendin e tretë, me rreth 19.5% të totalit. Renditja vijon me Lezhën, Shkodrën dhe Fierin. Tre vendet e fundit në renditje ndërkohë, mbahen nga Elbasani, Dibra dhe Kukësi.
Shifrat e përpunuara nga “Scan Intel”, sa i përket familjeve sipas qarqeve, apo bizneseve sipas qarqeve i referohen vitit 2023, si viti i fundit me të dhëna të përditësuara për të gjithë indikatorët e marrë në vlerësim. Raporti i ndërmarrjeve për familje ndërkohë i referohet vetëm një mesatare, që shërben si referencë për të kuptuar se në cilat qarqe ka më shumë frymë sipërmarrje dhe në cilat më pak. Në total, në të gjithë Shqipërinë numërohen rreth 130 mijë ndërmarrje aktive./ Scan