Prej vitesh, qytetarët në Tiranë bashkëjetojnë me trafik, betoniere, zhurmë, tubacione që çahen, trotuare të zëna, mungesë parkimi, çmime të larta dhe shumë probleme të tjera.
Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, i zgjedhur nga banorët e këtij qyteti, që prej 10 shkurtit 2025 jeton i burgosur.
Prokuroria thotë se ka fakte dhe prova që tregojnë se ai ka shkelur ligjin. Dyshohet për korrupsion dhe jo vetëm.
Dakord, gjyqi dhe gjyqtari do të vlerësojnë. Në shkallën e parë dhe më pas në apel, kur të ketë një vendim final të ekzekutueshëm.Deri atëherë, qyteti do të vazhdojë të ketë të njëjtat dilema dhe probleme.
A jetohet më mirë apo më keq në Tiranë?Tiranën ku jetojnë dhe bashkëjetojnë SPAK, GJKKO, politika, media, biznesi, dhe jo vetëm❗️
A u ndalën betoniere?
Veliaj akuzohet se favorizon ndërtimet kundrejt rryshfetit dhe po ashtu akuzohet në media si “pronari” apo ai që lejon ndërtimin e kullave.
A ka më pak trafik?
A ka më shumë parkim?
A janë trotuaret të lira për njerëzit?
A ka më pak ndotje akustike?
A ka tubacione që nuk hedhin ujërat e bardha dhe të zeza rrugëve?
A u ulën çmimet?Si u shërbehet qytetarëve në bashki dhe drejtoritë e varësisë?
Nëse përgjigjet e këtyre pyetjeve që pritet të jepen nga drejtësia janë: PO, atëherë jo vetëm për ata që urrejnë ose nuk e simpatizojnë Veliajn, por si kosto për të gjithë qytetin: MBAJENI NË BURG!
Ama ky sistem, edhe sikur të jetë viti zero sot, nesër e deri tek rivlerësimi i masës në apel apo vendimi i dënimit, nuk varet dhe nuk ndalet nga Erion Veliaj.
Ndaj, pasi provat dhe faktet, gjyqi do të marrë kohën e tij, pse jo edhe përtej mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të SPAK. Është e duhur të hidhen sytë në qytet.
Drejtësia nuk është shkencë ekzakte. As matematikë.
Është perceptim, është subjektive, është bindje e brendshme e bazuar mbi fakte dhe prova shteruese.
Pra, Veliaj favorizon ndërtuesit?
Po, kullat vijojnë!Investitorët strategjikë, po!
Betonieret, po!
Problemet e qytetit, po!
Atëherë?
Veliaj dhe inceneratori!
Po, inceneratori sërish nuk ka, por lekët paguhen dhe koshat pastrohen.Veliaj dhe dherat e gropave të ndërtimit?
Po, sot ku hidhen, pse ka heshtje varri? Asnjë nuk flet?
Veliaj dhe teatri!
Po, teatri vijon të ndërtohet!
Veliaj dhe mediat!
Po, mediat ishin dhe janë aty. Secila me linjën e saj editoriale. Ndaj, nëse sot jetohet më mirë në Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, mbajeni në burg, por së paku videot e ish-numrit dy të qeverisë në konstatimet që ai bën tregojnë se Tirana ka aq shumë halle sa nuk mund t’i ndjekin as kryeministri dhe as të ngarkuarit me punë, të pazgjedhur e të pavotuar.
Por i zgjedhuri duhet të drejtojë punët, provat, faktet dhe dëshmitarët që drejtësia dyshon se mund të prishen apo manipulohen. Duhet të kujdeset dikush tjetër. Kjo është e saktë dhe e parashikuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës.
Në lidhje me përplasjen e pretendimeve, provave apo konflikteve të interesit mes z. Veliaj dhe Prokurorit Ols Dado, kjo do të zgjidhet në sallën e gjykatës.Kërkesat e palëve dhe integriteti i çdo individi që është zgjedhur nga qytetarët apo emëruar si rojtar i qytetarëve.