Në ditën e dytë të seancës ndaj ankimit të tij, Kryebashkiaku Erion Veliaj, në sallën e Gjykatës së Apelit, ka kërkuar të jenë të pranishme mediat.
Kjo kërkesë e tij vjen pas provave të reja të paraqitura nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani, prova të cilat lidhen me ndikimin që Veliaj ka pasur në disa media përmes shkrimeve intimiduese ndaj magjistratëve.
Keni sjell “prova të reja”, kërkoj të sillni kamerat dhe kjo seancë të jetë e hapur për median. Silllni mediat që t’i deklaroj publikisht edhe para tyre përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk kam asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina burgut, është shprehur Veliaj para gjykatës.
Sipas SPAK, Veliaj ka udhëzuar vëllain e tij me telefon të ndikojë tek mediat, ndërsa kryebashkiaku i ka mohuar këto prova, duke thënë se disa media e kanë sulmuar atë me dashakeqësi. Veliaj kërkon heqjen e arrestit në qeli, ndërsa SPAK ka argumentuar para gjyqtarit Engert Pellumbi se ai duhet të mbahet ende në burg. Seanca u shty për shpallje, ditën e nesërme në orën 10:00.