Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 200% mbi verën dhe shampanjën nga vendet e Bashkimit Evropian, në kërcënimin e fundit për përshkallëzimin e luftës tregtare globale të nisur nga presidenti amerikan kundër partnerëve të tij më të mëdhenj tregtarë.
Në një postim të enjten në platformën e tij Truth Social, Trump tha se tarifat mbi të gjitha produktet alkoolike nga blloku do të ishin një hakmarrje ndaj një taksë prej 50% mbi whiskeyn amerikan, të shpallur nga BE.
Tarifat e BE-së kundër whiskey, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 prill, ishte vetë pjesë e një kundërpërgjigjeje prej 26 miliardë eurosh ndaj tarifave prej 25% të vendosura nga Trump mbi importet e çelikut dhe aluminit, të cilat hynë në fuqi të mërkurën.
Trump pretendon se partnerët tregtarë të SHBA-së kanë përfituar nga vendi dhe se tarifat do ta ndihmojnë atë të rikthejë vendet e punës, një teori që faktikisht hidhet poshtë nga shumica e ekonomistëve.
Tarifat ndaj BE-së, Kanadasë, Meksikës dhe Kinës – si dhe ato të vendosura si hakmarrje – rrezikojnë ta çojnë ekonominë amerikane në recesion, dhe Trump ka pranuar se mund të ketë një “periudhë tranzicioni” ndërsa bizneset fillojnë të prodhojnë më shumë brenda SHBA-së.