Autoriteti i Konkurrencës ka administruar më datë tre mars përgjigjet e bankave të nivelit të dytë dhe kompanive të sigurimit lidhur me sigurimin e jetës për kredimarrwsit. Sipas një njoftimi zyrtar, hetimi u fokusua te mënyra se si bankat dhe kompanitë e sigurimeve bashkëpunojnë për ofrimin e polisave të sigurimit të jetës për kreditë e dhëna individëve.
Me këtë hetim, Autoriteti synon të zbulojë nëse ka marrëveshje ose praktika që imponojnë klientëve sigurime të caktuara, duke kufizuar zgjedhjet e tyre ose duke ndikuar në çmimet.
Burime pranë Autoritetit të Konkurrencës bëjnë me dije se janë marrë ankesa nga qytetarë dhe aktorë të tregut, të cilët pretendojnë se disa banka i detyrojnë klientët të marrin sigurime vetëm nga kompani të caktuara, duke mos lejuar zgjedhjen e lirë të ofruesit të sigurimit.
Nëse hetimi konfirmon shkelje të ligjit të konkurrencës, kompanitë dhe bankat e përfshira mund të përballen me gjoba të rënda ose masa të tjera rregullatore. Autoriteti i Konkurrencës ka theksuar se mbrojtja e konsumatorëve dhe nxitja e një tregu të hapur dhe të drejtë janë prioritetet kryesore të tij.
Ky hetim vjen në një kohë kur tregu i sigurimeve në Shqipëri po përjeton rritje të ndjeshme, veçanërisht në segmentin e lidhur me kreditë bankare. Ekspertët e sektorit kanë kërkuar transparencë më të madhe dhe rregullore më të qarta për të garantuar një konkurrencë të ndershme dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Hetimet që zgjatën disa muaj janë finaluzuar, ndërsa Autoriteti do të analizojë të dhënat dhe do të zhvillojë konsultime me të gjitha palët e interesuara për të marrë një vendim përfundimtar për gjetjet e konstatuara.
Më 27 nëntor 2024 Autoritet Konkurencës Njoftoi se:
Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim paraprak Bankat e nivelit të dytë për abuzim me pozitën dominuese për produktin “sigurimi i jetës për kredi” Autoriteti i Konkurrencës, pas marrjes së një ankese hapi procedurën e monitorimit në tregun e sigurimit të jetës për kredi. Më tej, Komisioni i Konkurrencës pasi vlerësoi ekzistencën e të dhënave të mjaftueshme të cilat kërkojnë hetim të mëtejshëm të mënyrës sesi bankat e nivelit të dytë procedojnë me ndarjen e këtij produkti, shqyrtoi në mbledhjen e datës 07.11.2024 propozimin e sekretariatit të konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg. Pas vlerësimit të raportit të paraqitur nga sekretariati i konkurrencës u vlerësua se përqindja e ndarjes së tregut të sigurimit të jetës për kredi, nuk reflekton as afërsisht pjesën e tregut në total që secila nga shoqëritë e sigurimit të jetës zotëron ç’ka mund të jetë pasojë e sjelljeve përjashtuese me karakter antikonkurrues duke bërë që klientët (kredi marrësit) mos të jenë të lirë të zgjedhin sigurimin e jetës për kredi nga shoqëri sigurimi të përzgjedhura nga vetë ata. Sjellja e bankave në tregun e sigurimit të jetës për kredi mund të sjellë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1130, datë 07.11.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi. Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 7 Nëntor 2021 deri në 7 Nëntor 2024.