Një futbollist bullgar, i cili u nderua me 1 minut heshtje nga ish-klubi i tij, megjithëse ishte ende gjallë, ka treguar versionin e tij të ngjarjes dhe ka pranuar se “të të varrosin për së gjalli është mjaft stresuese”.
Jeta e Petko Ganchev u përkujtua nga klubi i kategorisë së parë, Arda Kardzhali, të dielën e kaluar, pasi ata u informuan gabimisht për vdekjen e ish-sulmuesit.
Arda kërkoi falje dhe i uroi Ganchev-it “shumë vite të tjera me shëndet të mirë”, por 78-vjeçari u detyrua të lajmëronte të gjithë të njohurit e tij për të konfirmuar se ishte ende gjallë.
“Isha 10 minuta me vonesë sepse kisha një punë personale,” tha Ganchev për faqen bullgare Blitz. “Ndërsa po kthehesha në shtëpi me makinë, telefoni im filloi të bjerë pa pushim. Parkova përpara shtëpisë, hyra në oborr dhe gruaja më doli duke qarë, duke bërtitur: ‘Petko, Petko, e kanë njoftuar në televizor që ke vdekur!’”
“Nuk po e kuptoja çfarë po më thoshte dhe çfarë kishte ndodhur. Më pas më telefonuan edhe dy miq të mi. Të të varrosin për së gjalli është mjaft stresuese, vërtet.”
Megjithatë, ai e pa edhe anën e lehtë të situatës. “Kur dëgjova lajmin e tmerrshëm, hodha një gotë raki,” tha ai.
Lojtarët e Ardës dhe ata të kundërshtarëve të tyre, Levski Sofia, u rreshtuan në qendër të fushës me kokat ulur të dielën, pasi kishin marrë informacionin e gabuar për statusin e tij “mortal”.
Zyrtarët e klubit e kuptuan gabimin e tyre dhe postuan një ndjesë në Facebook para se të përfundonte ndeshja.
“Drejtuesit e PFC Arda duan të shprehin një ndjesë të madhe ndaj ish-lojtarit të Ardës, Petko Ganchev, dhe të afërmve të tij, pasi klubi mori informacion të gabuar për vdekjen e tij,” shkruhej në deklaratën e klubit.
“I urojmë Petko Ganchev-it shumë vite të tjera me shëndet të mirë dhe ta shijojë suksesin e Ardës.”
Ganchev tha se drejtori sportiv i Ardës, Ivaylo Petkov, e kishte telefonuar për t’i kërkuar falje dhe ai u përpoq ta shihte situatën me qetësi, megjithëse e përshkroi si “aspak të lehtë” për t’u përballuar.
“Ka pasur shumë njerëz që më kanë telefonuar – të afërm, miq, të njohur dhe madje edhe të panjohur,” tha Ganchev. “Situata nuk ishte e këndshme, por në fund të fundit duhet të jemi pozitivë”.
“Shikoni, ndonjëherë ndodhin gjëra të tilla. Është normale të përhapet një thashethem këtu në fshat, por ata e shpallën lajmin përpara gjithë publikut futbollistik të Bullgarisë.”