Komisioni Europian ka hartuar një strategji për qytetarët e vendeve të BE-së që të kenë rezerva ushqimore dhe karburanti për të paktën 72 orë në rast lufte, fatkeqësish natyrore apo kriza të ngjashme.
Strategjia u frymëzua pjesërisht nga Gjermania dhe vendet nordike, të cilat kanë shpërndarë informacione publike dhe kanë krijuar aplikacione që këshillojnë njerëzit se çfarë të bëjnë në rast të një sulmi ushtarak ose një krize tjetër kombëtare.
“Ne duhet të përgatitemi për incidente dhe kriza në shkallë të gjerë, ndërsektoriale, duke përfshirë mundësinë e agresionit të armatosur, që prek një ose më shumë shtete anëtare”, thuhet në dokument.
Autoritetet suedeze rekomandojnë që qytetarët e tyre të kenë në shtëpi një furnizim të mirë me ujë, ushqime të pasura me energji, batanije dhe ngrohje alternative, si dhe të posedojnë një radio me bateri.
Norvegjia këshillon njerëzit që të rezervojnë medikamente jo thelbësore, duke përfshirë tabletat e jodit në rast të një incidenti bërthamor.
Familjeve gjermane u është kërkuar të përshtatin bodrumet e tyre, garazhet ose dhomat e magazinave për t’i përdorur si bunkerë, ndërsa ndërtuesit e shtëpive do të detyrohen ligjërisht të përfshijnë strehimore të sigurta në shtëpitë e reja, metodë kjo që është aplikuar së fundmi në Poloni.