Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planet për të vendosur tarifa prej 25% për makinat që nuk prodhohen në SHBA.
“Ajo që do të bëjmë është një tarifë prej 25% për të gjitha makinat që nuk prodhohen në Shtetet e Bashkuara,” tha Trump në Zyrën Ovale.
“Nisim me një bazë prej 2.5%, që është niveli aktual, dhe e rrisim në 25%.”
Vendimi i Trump shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Bashkimit Europian dhe Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney.
“Ne do të mbrojmë punëtorët tanë, do të mbrojmë kompanitë tona, do të mbrojmë vendin tonë dhe do ta mbrojmë atë së bashku,” tha Carney.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi këtë veprim si “të keq për bizneset dhe akoma më të keq për konsumatorët”.
Por Trump nuk u mjaftua me kaq. Ai kërcënoi me tarifa të tjera më të larta nëse BE-ja bashkëpunonte me Kanadanë “me qëllim që t’i shkaktonin dëm ekonomik SHBA-së”.
Duke shkruar në platformën e tij sociale, Truth Social, ai tha se nëse e bënin këtë, “tarifa në shkallë të gjerë, shumë më të mëdha se ato të planifikuara aktualisht, do të vendosen ndaj dy palëve”.
Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, tha se qeveria e tij po shqyrtonte “masa të përshtatshme” si përgjigje ndaj njoftimit. “Natyrisht, do të marrim në konsideratë të gjitha opsionet.”
Sektori i automjeteve në Korenë e Jugut do të përballej me “vështirësi të konsiderueshme” kur tarifat të hynin në fuqi, dhe qeveria po planifikonte një përgjigje emergjente deri në prill, tha ministri i Industrisë, Ahn Duk-geun.