Florian Sulejmani nuk mund të ushtrojë më detyrën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, deri në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 179, i nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Ankimi i tij për t’u rikthyer në detyrë është rrëzuar këtë të hënë, ndërsa pezullimi është lënë në fuqi. Ajo që e bën këtë vendim të diskutueshëm është pika 5 e tij, ku e njëjta gjykatë që vendosi pezullimin, ka shpallur njëkohësisht moskompetencën për çështjen.
WebLajm zbardh vendimin e plotë:

PËR KËTO ARSYE
Bazuar në nenet 228, 229, 242, 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 248 të Kodit Penal,
VENDOSI:
- Vazhimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Florian Sulejmani, i datëlindjes 20.12.1977, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Policia Gjyqësore Berat të zbatojë këtë vendim.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi (i cili sipas nenit 248 i KPP do të depozitohet i arsyetuar brenda 48 orëve) lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit të këtij vendimi.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në lidhje me çështjen penale me Nr. 179 Regj.Them., Dt.Regj.Them 17.04.2025.
- Dërgimin e aktëve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si gjykatë kompetente tokësore për gjykimin e kësaj çështjeje.
U shpall në Berat, datë 21.04.2025!
Lexo më shumë