Pas referimit të SPAK-ut, Prokuroria e Tiranës ka marrë në hetim për shpërdorim detyre Arbian Maznikun. Hetimi, i drejtuar nga prokurori Platin Aliçka, mësohet se ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Belind Këlliçi në vitin 2023, lidhur me ndërtimin e një rruge në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Mazniku mësohet se ka dhënë shpjegime disa javë më parë në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa është pyetur edhe kallëzuesi, Belind Këlliçi.
Arbian Mazniku, që prej shtatorit 2023, mban postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Zoti Mazniku ka ushtruar funksionin e Nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës nga viti 2015 deri në vitin 2023, funksion për të cilin është pyetur nga prokurori Aliçka. Më herët, ai ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, nga viti 2013 deri në vitin 2015.
Mazniku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për periudhën kur ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për procedurat e tenderimit lidhur me rehabilitimin e rrugës “Xhon Belushi” në zonën e Freskut, në kryeqytet. Hetimi mësohet se është regjistruar nga Prokuroria e Tiranës pa emra konkretë, por mbi dyshimet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.