Vendet e Rajonit kanë vijuar me rritje të fortë të pagave, edhe pse produktiviteti i punës nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Bosnje-Hercegovina kishte diferencën më të madhe paga-produktivitet, ndërsa Serbia më të ulëtën, pasi rritja e pagave shoqërua me një rritje të ngjashme të produktivitetit prej 7%, sipas një analize të fundit të Bankës Botërore në raportin e fundit ekonomik për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Që nga Janari i vitit 2025, rritja më e madhe në rajon e pagës minimale u vu re në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, ku paga minimale u rrit me 60% në 892.3 euro. Në Republikën Srpska, paga minimale arriti 1,023.5 euro nga rreth 687.4 euro që ishte më parë, pavarësisht nga niveli arsimor i punonjësve. Si pjesë e indeksimit të rregullt, pagat minimale në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut u rritën me përkatësisht 13.2 dhe 8.1% për vitin 2025.
Paga minimale më e lartë në rajon mbetet në Mal të Zi pas rritjes së vitit të kaluar, e cila gjithashtu i diferencon punonjësit bazuar në nivelin e tyre të arsimit. Ndërkohë, paga minimale në Shqipëri mbeti e pandryshuar në rreth 404 euro, ndërsa paga minimale e Kosovës, me 350 euro me diferencë të larta nga rajoni.
Serbia regjistroi rritjen më të lartë mesatare të pagave reale në vitin 2024, me 9.1%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 9.0%. Shqipëria, dhe Bosnja dhe Hercegovina regjistruan një rritje mesatare të pagave reale prej rreth 8%, ndërsa Mali i Zi pasoi me një rritje prej 6.9%. Rritja e pagave ishte të paktën dyfishi i rritjes së produktivitetit në shumicën e ekonomive të Rajonit.
Banka Botërore sugjeron se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mund të rrisin perspektivat e tyre duke përshpejtuar zbatimin e reformave strukturore. Vendet vazhdojnë të përballen me sfida të konsiderueshme, të tilla si pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, nivelet e larta të informalitetit dhe rritja e ngadaltë e produktivitetit.
Këto çështje pengojnë progresin ekonomik dhe kufizojnë potencialin për zhvillim të qëndrueshëm. Zhvillimi i sektorit privat vendas është thelbësor për gjenerimin e mundësive të punësimit dhe nxitjen e inovacionit, të cilat janë thelbësore për rritjen afatgjatë.
Pavarësisht progresit në uljen e papunësisë gjatë dekadës së fundit, rajoni ende përballet me sfida të rëndësishme strukturore. Në vitin 2024, papunësia ishte mesatarisht 10.1%, me ndryshime të dukshme midis vendeve (duke filluar nga 8.6% në Shqipëri dhe Serbi, në 12.6% në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Punësimi i të rinjve mbetet një shqetësim kritik, me një shkallë mesatare papunësie prej 25%, ndërsa pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore është vetëm 45%, krahasuar me 64.2% për meshkujt. Inaktiviteti arrin mesatarisht 45.4% të popullsisë në moshë pune.
Shkallët e larta të informalitetit dhe emigrimi i jashtë i punëtorëve të kualifikuar kufizojnë më tej perspektivat e rritjes. Rritja e rreziqeve nga moti, siç janë nxehtësia ekstreme, thatësira, përmbytjet dhe ndryshimi i modeleve të reshjeve zvogëlojnë më tej produktivitetin e punonjësve, rrisin rreziqet e shëndetit në punë, dëmtojnë asetet prodhuese dhe prishin sektorët kryesorë ekonomikë që varen nga kushtet e qëndrueshme të motit, siç janë bujqësia, ndërtimi dhe turizmi. /Monitor