13 janari, si datë, jo vetëm për Policinë e Shtetit por për mbarë kombin shqiptar, para së gjithash është një ditë kujtese. Kjo strukturë e rëndësishme e sigurisë kombëtare, tashmë ka një histori që përshkon dhe prek dy shekuj.
Themelet e saj u ngritën me idealizëm por veprimtaria dhe forcimi i rolit të saj u mbështet mbi sakrificat, gjakun dhe vetmohimin e shumë prej punonjësve të kësaj arme, të cilët dhanë jetën apo u plagosën në emër të një ideali që mbështetet mbi dy simbole kryesore: flamurin dhe njeriun.
Ndaj, është momenti që çdokush prej nesh të përulet me mirënjohje e respekt dhe të nderojë në formën më të lartë të solemnitetit, kujtimin dhe veprën e tyre, të cilat qëndrojnë në piedestalin më të merituar që iu kushton koha dhe e vërteta figurave të tilla, si edhe familjeve që ata përfaqësojnë në shoqërinë shqiptare.