Kryebashkiaku Tiranës Erion Veliaj ka nisur një rubrikë sqaruese me fakte eshifra, për nilancet e tija si dhe akuzat që ngrihen apo çështje me interes publik. Në ditën e parë ai është ndalue tek ndërtimet dhe çmimet e banesave në kryeqytet.
Prej ditës së sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një rubrikë të re informimi dhe sqarimi me fakte dhe shifra zyrtare, për tema të cilat prekin qytetin dhe kanë shkaktuar debate në publik. Në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Veliaj thotë se rubrika do të japë argumente për tema që debatohen pa informacionin e plotë dhe shpeshherë trajtohen shtrembër, edhe për interesa të vogla politike.
Si shembull, ai ka prekur debatin për ndërtimet në Tiranë, duke sjellë shifra e fakte, por edhe argumente, se ky sektor është ai që ka kontribuar më shumë në ekonominë shqiptare. Sipas tij, Tirana rritet çdo vit me 20-25 mijë banorë dhe kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për më shumë apartamente. Ai thotë se Tirana ka nevojë të shtojë rreth 8 mijë banesa çdo vit.
“Nëse nuk shtohet oferta për banesa të reja, atëherë çmimet e banesave ekzistuese do të bëheshin të papërballueshme dhe do të rriteshin në mënyrë eksponenciale. 8 mijë banesa, me nga një mesatare prej 100m2, përfshirë hapësira të përbashkëta, shkallë e ashensorë, janë rreth 800 mijë m2 ndërtim i ri i kërkuar nga tregu çdo vit në Tiranë. Atëherë, përfundimi është i thjeshtë: Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” evidentoi ai.
Linku / Video
Veliaj ka treguar edhe sa leje janë dhënë në Tiranë dhe për cilat qëllime: “Nga viti 2016 deri në vitin 2021 numri i procedurave të lejeve të dhëna në total është 1028, pra për 5 vite, nga të cilat, vetëm një e treta janë leje ndërtimi për objekte nga 4 deri në 12 kate, pra pallate. Pjesa tjetër janë leje për objekte të ulëta, si dhe leje për rikonstruksione, çati, prishje ndërtimi etj. Pra, çdo gjë që konsiderohet leje, jo vetëm e pallateve, është në këto 1028. Këto leje të miratuara janë marrë nga 991 subjekte të ndryshme zhvilluese, çka tregon se ka një diversifikim shumë të lartë të subjekteve që i përfitojnë këto leje ndërtimi,” tha ai.
Lidhur me ata që shprehen “na mbytën kullat”, Veliaj ka një përgjigje të thjeshtë dhe me shifra. “Dëgjojmë të recitohet pa fund dhe pa turp: “Na mbytën kullat”. E vërteta e thjeshtë dhe shumë e verifikueshme është se objekte me mbi 12 kate janë vetëm 20. Dhe ky është FAKT!”, thotë ai.
Kryebashkiaku thotë se trendi i rritjes së ndërtimeve në Tiranë është në përputhje me trendin e rritjes ekonomike të Tiranës – është një rritje që shkon krah për krah njëra-tjetrës – dhe është e rëndësishme t’i besohet shkencës dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.
“Ka kërkesë, por ka edhe ofertë. Të dyja duhet të ecin paralelisht. Tiranës nuk ia vëmë dot traun për këta 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit. As nuk e ndajmë dot në vendalinj e të ardhur, sepse ajo është një gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzistojë më. Ne duam ta bëjmë këtë një qytet më të mirë për të gjithë”, e mbyll ai videomesazhin.
Reagimi për çmimet e banesave
Rritja e çmimeve të apartamenteve, Veliaj: “Është me e ulët se në vendet e BE; qytetarët sot, falë investimeve, kanë një apartament që u vlen më shumë se dje”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli sot edhe për rritjen e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet. Ai thotë se kjo ka ndodhur, por nuk duhet trajtuar si diçka e keqe, por si lajm i mirë sepse qytetarëve sot prona e tyre u vlen më shumë se më parë.
“Është e vërtetë se çmimi i një apartamenti është rritur në Tiranë, qoftë për t’u blerë, qoftë për t’u marrë me qira. Por, a është kjo një gjë e keqe? 93% e qytetarëve të Tiranës në fakt, janë pronarë të banesave të tyre. Kjo do të thotë se për këta 93% ky është një lajm shumë, shumë i mirë. Secili prej jush është bërë më i pasur dhe ka përfituar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i qytetit, se ka një apartament apo një pronë që i vlen më shumë sot se sa dje,” thotë Veliaj.
Ai shpjegoi se ritmi i rritjes së vlerës së pronës ka ecur paralelisht me rritjen ekonomike në vendin tonë. “A është rritja e çmimeve në Tiranë e jashtëzakonshme? A ka marrë për kot? A është fryrë nga para të krimit dhe lloj-soj sulmi që bëhet nga këta gjithollogët? Në fakt, shifrat tregojnë se ecuria e rritjes së vlerës të pronës në Tiranë është në përputhje të plotë dhe me ecurinë e rritjes së ekonomisë,” deklaroi kryebashkiaku.
Veliaj thekson faktin se rritja e çmimeve të banesave në kryeqytet është më e ulët se mesatarja e kësaj rritjeje çmimesh në vendet e Europës: “Në BE, në 10 vitet e fundit çmimi i banesave është rritur mesatarisht me 50%. Për të njëjtën periudhë çmimi mesatar në Tiranë është rritur me 34%. Do të thotë se jemi në një ritëm më të ulët rritjeje se pjesa tjetër e Europës.”
Transformimi dhe urbanizimi i Tiranës, shtoi Veliaj, është në përputhje me planin urbanistik dhe vizionin për të krijuar një qytet që ka ambicie të jetë jo vetëm kryeqendra e Shqipërisë, por dhe e të gjithë rajonit, siç ishte viti i Rinisë, Viti i Sportit dhe vitin tjetër Presidenca e B40.
“Tirana sot është kthyer në një qytet që mirëpret mijëra turistë. Vetëm në vitin 2022 që lamë pas, ne pritëm mbi 4 milionë turistë dhe evente të jashtëzakonshme, si finalja e Conference League, koncertet e Rita Orës dhe Dua Lipës, Samiti i 27 vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto nuk do ishin realizuar dot nëse në Tiranë nuk do të kishim një shesh të madh, një stadium serioz, objekte publike, apo dhe ndërtesa të larta moderne, private, si hotelet me pesë yje që po konturojnë Tiranën dhe që mund të akomodojnë numra të tillë turistësh,” argumentoi Veliaj.
Ai tha se ndërtimi është një nga sektorët që kontribuon më shumë në ekonominë kombëtare dhe të Tiranës dhe punëson 100 mijë njerëz. Ndërsa, nuk la pa përmendur edhe taksën 9% të vlerës së investimit në ndërtim që shkon në rritjen e buxhetit të Bashkisë dhe më shumë investime për qytetarët.