Takimi për primaret mes kandidatëve për kryebashkiak nga grupi rithemelimit në Kurbin, është shoqëruar me tension e deri në përdorimin e armës.
Burime për WebLajm bënë me dije se një shtetas tashmë i identifikuar si Van Rica ka përdorur armën duke qëlluar në ajër. Ai është shpllur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.
Ende nuk dihet motivi real i ngjarjes ndërsa dyshohet mbledhja është shoqëruar me tension e debate mes Ricës dhe Kastriot Markut.
Njoftimi policisë për ngjarjen
Kurbin / Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:
Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.
Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetas V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.