• Shpërdorimi i fondeve publike/ kandidati i opozitës për Tiranën Belind Këlliçi: Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës në 8 vitet e fundit ka mbledhur 764 milionë euro taksa në kryeqytet. Më shumë se gjysma e tyre, 440 milionë euro kanë shkuar për paga, për qoka, dhe për qejfe.
DEKLARATË E KANDIDATIT TË OPOZITËS PËR BASHKINË E TIRANËS, BELIND KËLLIÇI
Të dashur kryeqytetas!
Sot për herë të parë në 8 vite patë bilancin e punës së kryetarit të bashkisë Tiranë!
Më vjen mirë që u kujtua të bëjë një bilanc pune pas 8 vitesh, por sigurisht nuk mund ta mohoj faktin që sërish u bazua në një gjë që ai di ta bëjë shumë mirë, tek mashtrimi i qytetarëve dhe opinionit publik.
Sot dua të ndalem vetëm tek tre plagë që ka Shqipëria!
Tek papunësi në fakt, që sërish sot u mashtrua. Me gojën e tij kryetari i Bashkisë tha se janë hapur në 8 vite në Tiranë, 126 mijë vende të reja pune. Tentoi ta bëjë Tiranën më të madhe se vetë Shqipëria, sepse vetë INSTAT-i, të dhënat e shtetit thonë, thotë se në Shqipëri në 8 vitet e fundit janë hapur 63764 vende të reja pune.
Klima armiqësore ndaj biznesit.
Sërish gënjeu kur foli për biznesin. Deklaroi se numri i bizneseve është rritur me 48%, kur ndërkohë sipas Bankës Botërore, në raportin ‘Doëing Bisnes’ ne jemi të fundit në rajon. Të fundit në një rajon ku taksat janë dhjetëfishuar për biznesin dhe sigurisht edhe për qytetarin.
E fundit që dua të flas për sot!
Shpërdorimi i fondeve publike, i taksave. Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës në 8 vitet e fundit ka mbledhur plot 764 milionë euro taksa në kryeqytet. E më shumë se gjysma e tyre, plot 440 milionë euro kanë shkuar për paga, për qoka, dhe për qejfe.
Imagjinoni i nderuar kryeqytetas apo e nderuar kryeqytetase, imagjinoni sikur ju më shumë se gjysmën e pagës mujore ta shpenzoni, për qejfe, qoka dhe lukse. Besoj se nuk do të ju dilte llogaria.
Kaq për ditën e sotme dhe në fakt nuk dua të humb kohë me mashtrimet që i shohim çdo ditë të kryetarit të Bashkisë, sepse më pret puna, më presin qytetarët më pret terreni. Më pret Tirana e vërtetë, aty ku mungon uji i pijshëm, aty ku ka trafik, aty ky ajri është i ndotur dhe aty ku jetohet e vërteta dhe jo në sallat e luksit që keni parë ditën e sotme, që janë shpërdoruar qindra mijëra euro, sërish nga taksat tuaja, për të bërë prezantimin dhe mashtrimeve të kryetarit të dështuar që së bashku në 14 maj do ta nxjerrim nga zyra!