1. Kartëmonedhat e dëmtuara mund të këmbehen në bankat tregtare kundrejt vlerës së tyre nominale.
2. Paraqituni pranë sportelit të bankës tuaj tregtare për këmbimin e kartëmonedhës së dëmtuar.
3. Në rastet kur kartëmonedhat kanë dëmtime të lehta (shënime, njolla, vrima apo grisje të lehta), ato këmbehen direkt në sportel kundrejt vlerës nominale.
4. Kur kartëmonedhat kanë një shkallë dëmtimi më të lartë, ato nuk këmbehen direkt në sportel, por banka tregtare së bashku me kërkesën për këmbim të klientit, i dërgon ato pranë Bankës së Shqipërisë për vlerësim të mëtejshëm.
Ne ju inkurajojmë të paraqiteni pranë bankës tuaj tregtare për çdo lloj rasti të dëmtimit të kartëmonedhës tuaj në përdorim.
Klienti duhet të paraqitet në sportelet e bankave të nivelit të dytë ku mund të dorëzojë kartëmonedhat dhe monedhat e dëmtuara.
Kartëmonedha/monedha këmbehet në sportel
- Në rastet kur kartëmonedhat kanë dëmtime të lehta (shënime, njolla, vrima apo grisje të lehta), ato mund të këmbehen direkt në sportel kundrejt vlerës nominale.
Kartëmonedha/monedha nuk këmbehet në sportel
- Kur kartëmonedhat kanë dëmtime të një shkalle më të lartë, iu mungojnë pjesë apo elemente sigurie dhe/ose bankat tregtare kanë dyshim për autenticitetin e tyre, ato nuk këmbehen direkt në sportel, por dërgohen pranë Bankës së Shqipërisë për t’u kryer ekspertiza të mëtejshme.
Në ketë rast, klienti bashkë me fondet e dëmtuara duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim për këmbimin.
- Kur kartëmonedhat e paraqitura për këmbim janë të njollosura me bojë, të ndotura, të përmbytura, të djegura apo të dëmtuara në mbi 50% të sipërfaqes së tyre, klienti, përveç kërkesës me shkrim, plotëson dhe një deklaratë që shpjegon burimin e dëmtimit dhe i bashkëngjit çdo dokument tjetër shtesë të lëshuar nga organet kompetente ose nga organet e pushtetit vendor ku përcaktohet burimi dhe rrethanat e dëmtimit të tyre.
- Për secilin nga rastet e mësipërme, bankat e nivelit të dytë dërgojnë në Bankën e Shqipërisë kartëmonedhat e dëmtuara së bashku me kërkesën dhe dokumentet shtesë, jo më vonë se 10 ditë pune nga data e plotësimit të kërkesës së klientit.
- Banka e Shqipërisë përcakton sasinë e kartëmonedhave/monedhave që përmbushin kriteret për këmbim dhe kalon vlerën nominale të tyre në llogarinë e bankës tregtare. Banka tregtare e kompenson klientin qe ka dorëzuar kartëmonedhat/monedhat e dëmtuara.
- Banka e Shqipërisë mund të refuzojë këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të dëmtuara, në rastet kur ka dijeni ose ka arsye të mjaftueshme për të besuar se:
- Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë dëmtuar qëllimisht (janë kartëmonedha ose monedha të formuara nga bashkimi i dy ose më shumë pjesëve nga kartëmonedha ose monedha të ndryshme). Në këtë rast, kartëmonedhat/monedhat do të konfiskohen pa kompensim.
- Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë përfituar duke kryer një vepër penale. Banka e Shqipërisë do t’i kualifikojë ato si të vlefshme për këmbim vetëm nëse pas verifikimit me autoritetet kompetente përcaktohet se burimi i kartëmonedhave të paraqitura është i ligjshëm.