Policia Rrugore në terren me kontrolle shtesë për shkelsit e kodit dhe parandalim aksidentesh.
Makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, dragerat, kamerat dhe makinat e pauniformuara, 24/7 në të gjitha akset rrugore.
✅Si rezultat i monitorimit intensiv gjatë 72 orëve të fundit, janë pezulluar 267 leje drejtimi, nga të cilat 221 për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 34 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 12 për qarkullim në sens të kundërt.
✅Janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
✅Gjithashtu, duke përdorur mjetet inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masa administrative, pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit, 2264 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi në qendrat e banuara, 489 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1110 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe 711 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.
✅ 167 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos qarkullojnë në sens të kundërt, t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe biçiklistëve, si dhe për drejtuesit e motomjeteve, të vendosin kaskën mbrojtëse dhe shenjat dalluese kur qarkullojnë në kushtet e errësirës.