Edhe pse në dukje është vendosur që fushata për zgjedhjet lokale 2023 e kandidatëve socialistë të mbajë shpenzime të ulta dhe të përqëndrohet në mbjelljen e pemëve, në praktikë po ndodh e kundërta.
Më shumë se sa për pemët, kjo fushatë do të mbahet mend për hedhjen e asfaltit dhe shtimin e shpenzimeve publike për rritje pagash, investime, dhënien e ndihmave për banorët duke marrë pak nga të dy arkat: ato të pushteti vendor që dominohet nga socialistët në 60 nga 61 bashki dhe të buxhetit të shtetit që menaxhohet nga e njëjta parti.
E kufizuar në shpenzimet dhe investimet publike gjatë viteve të shkuara dhe e përqëndruar më shumë te buxheti kolosal që qeveria qëndrore i kaloi për të menaxhuar rindërtimin pas tërmetit të 2019-s, bashkia e Durrësit ka nisur në fillim të këtij viti një plan ambicioz investimesh në infrastrukturë.
Pothuasje të gjitha aktivitetet e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako, që kandidon për një tjetër mandat më 14 maj, përqëndrohen te shtrimi i rrugëve me asfalt.
8 tendera janë hapur këtë vit për rehabilitimin e rrugëve të bashkisë së Durrësit, ndërsa në total bashkë me dy procedura të tjera një për ndriçimin e qytetetit dhe një për gjelbërimin, vlera e fondeve të prokuruara kap shfirën 6 milion euro.
Tenderi për ndriçimin e disa rrugëve në qytet me vlerë 360 mijë euro është hapur më datë 28 mars, pas afatit të caktuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që ishte data 13 janar duke e ndaluar promovimin e projektit në fushatë. Kjo nuk e ka ndalur kryebashkiaken Emirjana Sako që të promovojë këtë investim dhe të kërkojë votëbesimin e qytetarëve.
“Në Durrës kemi një precedent ku nga zgjedhjet e mëparshme kemi kapur në shkelje në ambientet e një shkolle kryebashkiaken që kandidon dhe një drejtues shkolle që ndalohet nga Kodi Zgjedhor. Tani ne duhet të kishim një sjellje tjetër, vetë partia nuk duhet ta promovojë dikë që ka shkelur ligjin zgjedhor, është provuar dhe dënuar për këtë.” shprehet Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.
Kodi Zgjedhor e ndalon promovimin e investimeve ku ka pjesëmarrje të elektoratit, por as ky rregull nuk është përfillur nga zonja Sako e cila po e përdor si kartë të fortë elektorale shtrimin e tyre. Në disa raste edhe tenderi për këto investime është hapur pas 13 janarit.
Fushata po dominohet edhe nga thirrjet për të marrë votën në këmbim të investimeve të qeverisë qëndrore. Rasti i rritjes së pagës minimale dhe pagave për administratën është përdorur si nga kryeministri dhe nga kandidatët e partisë socialiste për bashkitë.
Në mbledhje të tjera me elektoratin kërkohet vota nga vetë kryeministri Edi Rama i cili prezanton investimet e qeverisë qëndrore. Kështu ishte rasti i Eco Park, apo shkollave të rikonstruktuara nga tërmeti, ku paratë u dhanë nga qeveria dhe jo bashkia, por pikët tani për zgjedhje i merr kandidati.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u ndalon thirrjet dhe fjalimet me përmbajtje politike në rastet e aktiviteteve publike të investimeve të kryera më parë, por letra e dërguar prej tij, si për kryeministrin dhe për kryebashkiakët nuk duket se ka frenuar apo frikësuar njeri.
Më i kujdesshëm në promovimin e asfaltit gjatë daljeve publike duket kandidati socialist i Elbasanit Gledian Llatja. Shtrimin e rrugëve dhe investimeve ai e promovon në disa takime, ndërsa në material publike që shpërndan në televizione dhe rrjete sociale, kur nis fjalën për projektet konkrete të investimeve që u përmend banorëve, video me fjalimin ndërpritet.
“Nuk është një fushatë për zgjedhjet administrative por është një gjuhë politike mes mazhorancës dhe opozitës.” shpjegon Agron Haxhimali, drejtor i Institutit të Bashkive.
“Veçimi i zgjedhjeve qëndrore nga vendoret duhet të eleminohet dhe të thuhet që rritja e pagave, pensioneve të jetë për të dyja zgjedhjet.” thotë drejtori i “Infochip” Gerti Shella.
Vendimi më flagrant që ka marrë Këshilli Bashkiak i Elbasanit në prag të zgjedhjeve është reduktimi i taksave dhe tarifave vendore. Ky vendim madje është promovuar në disa aktivitete nga kryebashkiaku Gledian Llatja si një masë që është bërë për të lehtësuar banorët e Elbasanit nga kostot e larta të jetesës nga një parti që mendon për ta.
Kandidati socialist për bashkinë e Elbasanit e ka pjesë të fushatës rritjen e pagave dhe e konsideron një prioritet kombëtar në takimet elektorale që zhvillon me banorët. I shoqëruar nga kryeministri, projekti më i madh që ai shpreson se qytetarët do t’i besojnë votën për një mandat tjetër është Auto Moto Parku në Elbasan.
Ky investim i qeverisë qëndrore po përdoret në fushatën e Gledian Llatjes si një thirrje për t’u votuar duke shkelur rregullat e vendosura nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Llatja në disa thirrje publike kushtëzon vijimësinë e projektit nëse ai votohet nga elbasanasit, pasi në të kudnërt vota e tyre do të thotë braktisje e asaj që ka filluar.
AutoMotoPark është financiar nga qeveria me buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor. Tenderi për këtë projekt është kryer, ndaj vota e Elbasanit pro apo kundër Gledian Llatjes nuk e cënon as pistën e garave që do të ndërtohet dhe as ëndrrën e tij për të sjellë Formula Uno Grand Prix.
Ky materil është Publikuar në emisionin “Kronos” të Gazetarëve Ola Xama dhe Xhevahir Zhabina