Gjatë takimit me banorët e Lagjjes 13 në kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj, njëkohësisht kandidat i PS për Tiranën, u kërkoi votën edhe të demokratëve, të cilët po fyhen rëndë nga Sali Berisha, duke i çuar në listën e Ilir Metës.
“Fyerje më të madhe për demokratët, t’i çosh si cjapi te kasapi e të votojnë Ilir Metën, s’ka”, u shpreh Veliaj. “Mos ua jepni lejen t’ju poshtërojnë. Votoni Partinë Socialiste dhe e keni kollaj se është numri 2, për të çuar gocat dhe çunat tanë në Këshill Bashkiak”.
Ai tha Gjithashtu, se të gjitha projektet e realizuara nga Partia Socialiste, si në Bashki ashtu edhe në Qeveri, janë për të gjithë qytetarët pa i ndarë në të djathtë e të majtë.
“Në Kopshtin Zoologjik nuk kemi dy radhë, një për fëmijët e demokratëve dhe një për fëmijët e socialistëve. Por ky park është bërë për të gjithë fëmijët e Tiranës. Ne nuk kemi dy pista te Liqeni. Pistë që të bëjnë vrap dhe biçikleta demokratët dhe pista që të bëjnë vrap dhe biçikleta socialistët. Është e njëjta hapësirë, por e gëzojnë të gjithë. Kur të fillojmë të Kopshti Botanik do bëjmë të njëjtën gjë. Nuk ka lule për demokratët e socialistët. Kur të bëjmë shkollën do bëjmë të njëjtën gjë, nuk do ndajmë shkollë për demokratët e shkollë për socialistët. Në momentin që zhbllokuam rrugen, nuk i kontrollojmë makinat të demokratëve apo socialistëve. Kur të hapim tregun agroushqimor, nuk do themi mollë për demokratët e dardhë socialistët. Për sa kohë çdo investim i ka shërbyer njësoj, tamam si dielli që i ngroh të gjithë njësoj, tamam si shiu që i lag të gjithë njësoj, tamam siç kjo skuadra jonë që ju ka shërbyer të gjithëve njësoj, pa i ndarë në të majtë e të djathtë, nuk keni pse poshtëroheni, nuk e keni të detyrueshme t’ju çojnë si cjapi te kasapi. Votoni skuadrën tonë, të çunave dhe gocave të lagjes suaj, të mëhallës suaj, që janë rritur në këtë qytet e që përfaqësojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë e të një skuadre që do ta çojë Tiranën përpara,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.