Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë me dije se nga një hetim administrav ka zbuluar një skemë penale të mashtrimit me sigurimet shoqërore nga kompanitë fasone që operojnë në treg. Mes kompanive janë edhe ato me pronar apo administrator Italian, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë për ndjekie të mëtejshme.
Njoftimi i Tatiemve
Administrata Tatimore ka zbuluar një skemë mashtrimi me Sigurimet Shoqërore. Subjekte të ndryshme, që operojnë në sektorin Fason, të lidhura me njëra tjetrën kanë përdorur skemën e hapjes dhe mbylljes së NIPT-ve, kalimin e biznesit nga një emër në një tjetër me qëllim shmangien e pagesës së Sigurimeve Shoqërore për punonjësit e tyre.
Në subjektet e identifikuara nga Administrata Tatimore janë konstatuar individë me shtetësi shqiptare dhe italiane, që ushtrojnë aktivitete ekonomike në disa qytete të Shqipërisë, të cilët kanë transferuar aktivitetin e tyre nga një emër në një emër tjetër si palë të lidhura, me qëlllim shmangien e mundësisë së Administratës Tatimore për mbledhjen e detyrimeve të punonjësve të tyre.
Administrata Tatimore, në zbatim të ligjit nr. 9920 për “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” e konsideron këtë fenomen si një nga shkeljet më të rënda që një biznes i bën shtetit dhe punëmarrësit pasi këto biznese jo vetëm kanë shmangur detyrimet fiskale, por gjithashtu me veprimet dhe mosveprimet e tyre nëpërmjet skemave të ngritura kanë dëmtuar edhe punonjësit e tyre, të cilëve për një kohë të caktuar nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke i rrezikuar pensionin si dhe mbulimin e shërbimeve shëndetësore.
Administrata Tatimore po ndjek me prioritet hetimet ndaj këtyre shoqërive për të vërtetuar dhe dokumentuar shkeljen e ligjit dhe për ti kallëzuar këto shoqëri dhe individë përgjegjës me shkelje të rëndë pranë organeve ligjzbatuese.
Administrata Tatimore është e angazhuar në misionin e saj për të evidentuar dhe dokumentuar raste të tjera të këtyre shmangieve, me qëllim mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe mbrojtjen e individëve të punësuar. Inkurajojmë çdo të punësuar në Republikën e Shqipërisë të denoncojë pranë DPT rastet e mospagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga ana e punëdhënësit si e drejtë ligjore që çdo qytetar ka për të siguruar pension në të ardhmen dhe shërbime shëndetësore falas.