Sot u bë raprezalja e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë.
Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”.
Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë.
Fake news e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve ….
Reagimi ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj
SPAK zyrtarisht njoftoi edhe bilancin e këtyre kontrolleve:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e hetimit të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, të regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 245, 257/a dhe 287 i K.Penal (procedim penal i regjistruar ndër të tjerë edhe në ngarkim të personit nën hetim Arben Ahmetaj), sot, më datë 18.07.2023 ka proceduar me kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrove si më poshtë:
- Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
- Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).