Aksioni “Metamorfoza” i Drejtuar nga SPAK dhe zbatuar në terren nga Renea dhe FNSH ka zbuluar se operacioni “Fijet” i nisur me bujë për disa javë nga policia e shtetit ka dështuar me fisin Bajri.
Siç dhe shihet në pamje, rezulton se SPAK ka zbuluar aty një bazë kontrolli me 22 kamera aktive thuajse të gjithë lagjes, rrugëve hyrëse dalëse tek banesat e të ndaluarve, ndërsa 9 kamera janë të çaktivizuara.
Pikërisht këto kamera të gjetura aktive dhe në punë kanë filmuar edhe vetë aksionin e policisë siç duket dhe mund të kenë ndihmuar personat e dyshuar të largohen apo fshenin provat.
Operacioni “fijet” në afro 3 muaj hoqi mbi 2000 kamera që përdoreshin nga grupe kriminale për të monituaruar lëvizjet e policisë apo kundërshtarëve, por siç dhe duket! Asgjë ska ndodhur. Kamerat janë rikthyer edhe me një rezulucion më të lartë dhe nga kompani me emër në tregun e Survejimit si në këtë foto.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet një operacion me shkallë të lartë vështirësie, i koduar “Metamorfoza”.
Në operacion u përfshinë Forcat Speciale RENEA, FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kirminale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 6 shtetas. Shpallen në kërkim 9 shtetas të tjerë.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe 2 shtetas të tjerë, për armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Policia gjen dhe sekuestron një arsenal armësh, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), maska, paruke dhe sende të tjera të paligjshme që përdoreshin nga pjesëtarët e grupit kriminal.
Strukturat e Policisë së Shtetit, ditën e djeshme u përfshinë në një operacion të një shkalle të lartë vështirësie dhe të ruajtjes së sekretit, për ekzekutimin e masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO, për pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal.
Falë planit operacional të shpejtë dhe të detajuar, u organizua puna për kapjen e shtetasve të kërkuar nga drejtësia dhe për sekuestrimin e provave materiale në interes të hetimit.
Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Metamorfoza”.
Gjatë këtij operacioni të mirorganizuar, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga GJKKO, për shtetasit:
1- P. Gj., 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale:
-“Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gj. N. (B.);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit K. M.);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D. dhe I. L.);
-“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim;
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
2- E. P., 46 vjeç, banues në Velipojë, i dyshuar për veprat penale:
-“Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gj. N. (B.);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit K. M.);
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”;
3- A. B., 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D., I. L. dhe G. T.);
4- A. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë te bashkepunimit, ate të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve D. D. dhe I. L.);
5- O. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose te dhenave sekrete”;
6- Xh. L., 50 vjeç, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organëve të drejtësise”, kryer dy herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Janë shpallur në kërkim shtetasit:
B. B., 43 vjeç, D. B., 45 vjeç, E. H., 33 vjeç, A. B., 26 vjeç dhe B. M., 41 vjeç, të gjithë banues në Shkodër; E. R., 41 vjeç, banues në Kurbin; K. H., 33 vjeç, banues në Pukë; P. K., 47 vjeç, banues në Malësi të Madhe; A. N., 46 vjeç, banues në Lezhë;
Gjithashtu, në kuadër të veprimeve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
S. T., 21 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
N. F., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjatë operacionit u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i provave materiale të mëposhtme:
8 armë zjarri (6 pistoleta, 1 automatik, 1pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, 2 baza për vendosje snajperi , 3 armë gjahu, , 2 baza karikues radiosh policie, 2 armë të ftohta, 3 maska, 1 paruke, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), 1 kamera kurth, 2 targa automjetesh, 3 ora dore të markave të shtrenjta, 3 409 000 lekë, 31 205 euro, 4 400 dollarë, 3 USB, 7 DVR, 28 celularë dhe 1 laptop.
Armët e sekuestruara dhe provat e tjera materiale do të dërgohen në laboratorin e Policisë Shkencore në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunm me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vijojnë punën hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materiale procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.