Gjykata Penale e Tiranës lë në burg Indrit Aliu, 39-vjeçarin e arrestuar pas denoncimit të një biznesmeni se e kishte mashtruar.
Para gjyqtares nuk ka pranuar të jap shpjegime, ndërkohë avokatja ka mohuar akuzën e mashtrimit të ngritur nga prokuroria.
Nga hetimet dyshohet se ai u kërkonte personave të ndryshëm deri në 35 mijë euro.
Zyrtarisht për të ka vetëm një kallëzim, por po hetohen disa raste, kryesisht persona që merren me aktivitet biznesi në miniera dhe në ndërtim.
Për të mashtruar këta persona ai përdorte emra dhe fotografi të personave të ndryshëm që punonin në disa institicione shtetërore, ndërsa përdorte edhe karta të dyshuara të falsifikuara apo të rreme për të bindur biznesmenët se punonte në institucione qeveritare.
Aliu u arrestua nga krimi ekonomik në kuadër të operacionit syri.
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The eye”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Përvetësoi shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet mashtrimit, duke u premtuar tendera, biznesmenëve të ndryshëm, vihet në pranga një 39-vjeçar.
Sekuestrohen 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme, të cilat i arrestuari i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The eye”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit I. A. (K)., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.