Me dekret të presidenrit Bajram Begaj ish kreu i KLP-s është emëruar gjyqtar kushtetues. Pas betimit në presidencë Genti Ibrahimi pritet të vesh pelerinën e gjyqtarit.
Dekreti Begajt
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:
- Z. Genti Ibrahimi 88.38 pikë
- Znj. Arta Vorpsi 88.22 pikë
- Znj. Arta Marku 82.66 pikë
Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që:
- Z. Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Cv e z.Ibrahimi
Z. Ibrahimi ka drejtuar për pothuajse 19 vjet (me disa shkëputje) Institutin për Studime Publike & Ligjore, një organizatë e shoqërisë civile me orientim kërkimor/shkencor në fushën e qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë. Në këtë cilësi ai është shquar si ekspert me kontribute të spikatura në fusha që kanë të bëjnë me reformat në sektorin publik, sistemin e drejtësisë, parandalimin e korrupsionit dhe lirinë e shprehjes. Gjatë gjithë këtyre viteve ai është angazhuar sistematikisht në mësimdhënie dhe trainime në Shkollën e Magjistraturës. Në vitet 2014 – 2016 Z. Ibrahimi shërbeu si ekspert i nivelit të lartë në grupin e ngushtë të ekspertëve të angazhuar nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën në sistemin e Drejtësisë. Në vitet 2008 – 2013 Z. Ibrahimi ka shërbyer si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (organi pararendës i Autoritetit të Mediave Audiovizuale të sotëm). Në vitet 1998 – 1999 ka shërbyer si Këshilltar dhe Drejtor Kabineti i Ministrit për Reformën Legjislative dhe Marrdhëniet me Kuvendin i ngarkuar me detyrën e koordinimit të procesit të hartimit dhe miratimit të Kushtetutës të vitit 1998 dhe paketës legjislative post kushtetuese. Më herët (në vitet 1993 – 1998) Z. Ibrahimi ka punuar si pedagog i së drejtës administrative në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe si specialist pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.